SYRI TV/ Dëborë në pranverë, moti bën kthesën 'zbardhen' zonat malore

Teksa kemi hyrë në pranverë, kapriçot e motit kanë rikthyer sërish borën ne juglindje dhe në veri të vendit. Këtë të martë Korça, Pogradeci, Kukësi, Shkodra, Elbasani dhe Dibra janë zbardhur nga reshjet e dëborës, teksa ka pasur një ulje drastike të temperaturave. Në zonat e thella malore trashësia e borës ka shkuar deri në 25 centimetër.

SYRI TV

Kapriçot e motit janë rikthyer në vend. Edhe pse jemi zyrtarisht në stinën e pranverës, disa qytete por edhe zonat malore janë mbuluar nga dëbora. Prej orëve të para të mëngjesit të së martës, reshjet e borës kanë përfshirë juglindjen e vendit si në Korcë ashtu edhe në Pogradec. Në fshatin turistik të Dardhës, trashësia e borës ka arritur deri në 5 cm, ndërsa reshjet janë prezent edhe në qytetin e Korçës dhe zonat përreth.

Kukesi është zgjuar nga një stuhi e madhe shoqëruar me era dhe reshje bore. Në qytet termometri ka zbritur në 0 gradë, ndërsa në lartësi mbi 700 m termometri ka zbritur -4 gradë ku trashësia e borës në zonat e Shishtavecit dhe Luginës së Valbonës varion 10-15 cm. Nuk  furnizohen me energji elektrike, lagjet Bozhe dhe Drinas të qytetit Kukës bashkia Kukës dhe fshati Cahan Njesia Administrative Qendër Krumë dhe fshati Pogaj Njesia Administrative Gjinaj bashkia Has.

Edhe qarku Shkoder është i përfshirë nga reshjet e borës. Në Bashkinë Fushe-Arrez gjatë natës ka patur reshje dëbore me intensitet mesatar, ndërkohë që trashësia e borës në Qafë-Mali ka shkuar rreth 10 cm.

Bora ka përfshirë edhe qarkun e Elbasanit, ku në Fushë Studën të Librazhdit , mëngjesin e kësaj të marte, trashësia e dëborës ka arritur 3-5 cm, ndërsa ë Parkun Kombëtar Shebenik trashësia e dëborës ka qenë më e madhe duke arritur nga 15 deri në 25 cm. Situata ka qenë më e rënduar  në fshatrat e tjerë të qarkut Elbasan që ndodhen mbi 900 metra lartësi mbi nivelin e detit ku trashësia e dëborës ka shkuar deri në 10 cm e shoqëruar edhe me ngrica .

Reshjet e dëborës kanë zbardhur rrethinat e qytetit të Peshkopisë. Në orët e para të mëngjesit ka pasur prezencë të dëborës edhe në qytet, por më pas në lartësinë mbi 700 metra mbi nivelin e detit. Temperaturat janë ulur në -3 gradë ndërsa gjatë natës pritet të shkojnë deri në -6-7 gradë.