SYRI TV/ Rrugë ngjitur me pallatin, banorët: Cënon hapësirën, pengon kalimin

Banorët e pallatit “Zaimaj” pranë zonës së Freskut kanë ngritur shqetësimin se ngjitur me pallatin do të ndërtohet një rrugë që u cënon hapësirën private dhe u pamundëson kalimin. Ata kanë dërguar një ankesë drejtuar Bashkisë së Tiranës dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar, ku kërkojnë anulimin e punimeve. Në mbështetje të banorëve ishte edhe deputeti i PD Kreshnik Çollaku, i cili tha se rruga ngjitur me pallatin bëhet për t’u lënë hapësirë kullave për interes të oligarkëve.

Syri TV

Rreth 90 familje banuese në pallatin “Zaimaj” pranë zonës së Freskut në kryeqytet, janë përballur me një situatë të pazakontë ku fadromat kanë nisur punën para pallatit pa asnjë lajmërim. Banorët kanë mësuar se në sheshin para pallatit do të ndërtohet një rrugë, duke u cënuar hapësirën private dhe duke u pamundësuar kalimin. Situata bëhet më shqetësuese në kushtet kur rrezikohet jeta e banorëve dhe veçanërisht fëmijëve, pasi rruga parashikohet të kalojë ngjitur me pallatin dhe shkollën 9-vjeçare “Klodian Tanushi”.

Në mbështetje të banorëve ishte edhe deputeti i Partisë Demokratike Z. Kreshnik Çollaku, i cili teksa denoncoi rastin, hodhi akuza se ndërtimi i rrugës ngjitur me pallatin po bëhet për t’i lënë hapësirë ndërtimit të kullave aty pranë, për interes të oligarkëve.

Të gjendur në këto kushte banorët kanë dërguar një ankesë drejtuar Bashkisë së Tiranës dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar, ku kërkojnë anulimin e punimeve për këtë rrugë që u cënon hapësirën private.