SYRI TV/ Shkodër, ping-pong mes institucioneve, mjeku Preçi: Përgjegjës drejtuesit e spitalit

Pas përfundimit të rikonstruksionit të poliklinikës së qytetit në Shkodër, nuk është vendosur ende një ambient për Qendrën e Trajtimit të Shëndetit Mendor. Mjeku neuro-psikiatër Gjon Preçi i bën përgjegjës drejtuesit të Spitalit Rajonal të Shkodrës, të cilët, sipas tij, janë bërë pengesë për rikthimin e kësaj qendre në poliklinikë.

Dy muaj pas rikthimit të shërbimeve për qytetarët, problemet në poliklinikën e Shkodrës nuk janë zgjidhur plotësisht, ndërkohë që Qendra e Trajtimit të Shëndetit Mendor vazhdon të mbetet në lagjen periferike Kiras, ku u vendos provizorisht për shkak të punimeve.

Mjeku Preçi e fajëson drejtuesit e spitalit për caktimin e katit të tretë për këtë qendër, një hapësirë që nuk është e përshtatshme për pacientët e shëndetit mendor.

Mosmarrëveshjet mes palëve kanë arritur deri në Ministrinë e Shëndetësisë, e cila më 18 shkurt i ka drejtuar një kërkesë Drejtorisë së Spitalit Rajonal të Shkodrës dhe institucioneve të tjera të shëndetësisë për të siguruar që Qendra e Trajtimit të Shëndetit Mendor të rikthehet në ambientet e mëparshme deri më 1 mars.

Megjithatë, urdhri i Ministrisë vazhdon të mbetet në letër.