Rama nis operacionin ‘LSI, për skrap’. Ja plani që do miratohet sot, me 74 deputetët e rinj

Ashtu siç ka paralajmëruar pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama do të zhvillojë sot në orën 11.00 takimin e parë me ekipin e stërmadh të deputetëve të rinj, që do të përbëjnë edhe grupin parlamentar të Partisë Socialiste në parlamentin që pritet të mblidhet në Shtator.

Edhe pse KQZ, ende nuk ka certifikuar rezultatin përfundimtar në zgjedhjet e 25 Qershorit, ku PS-ja arriti të siguronte 74 mandate.

Të gjithë këta por edhe  ata që nuk fituan por morën pjesë në garë dhe që pritet të shpërblehen me poste në administratën shtetërore, janë ftuar sot që të diskutojnë me Edi Ramën për disa çështje emergjente pas krijimit të qeverisë së re.

Sipas burimeve të SYRI.net një nga çështjet më të rëndësishme në këtë takim, do të  jetë çmontimi i “tepsisë” së pushtetit me LSI-në dhe çuarjes për “skrap”, të pjesës së saj në administratë.

Mësohet se Rama do u kërkojë deputetëve të rinj, që të mbledhin të dhëna duke formuluar dosje, për çdo shqetësim që ndodh në qarqe sa i takon problemeve brenda administratës. Bëhet me dije se në këto të dhëna që do të fokusohen kryesisht te emrat që përfaqësojnë LSI-në do të përfshihet çdo gjë; duke filluar nga arsimimi, performanca, shkeljet në punë, abuzimet etj. Duket se nuk do të kemi thjesht “një çuarje për skrap”, por edhe ndjekje penale për pjesën e “tepsisë”, e cila që nga Shtatori do të jetë edhe formalisht në opozitë.

Gati të gjithë fushatën zgjedhore që rezultoi efikase, Edi Rama e zhvilloi mbi retorikën kundër administratës së politizuar dhe “bosnjëzimit” të saj.

Vetëm dy ditë më parë kreu i qeverisë, njoftoi se ai dhe grupi i tij i ri parlamentar do të zhvillojnë një turr përreth 30 ditë, për të dëgjuar qytetarët e thjeshtë për shqetësimet që kanë ndaj qeverisë dhe administratës.

Sipas tij, pas këtij turi, të gjitha të dhënat e mbledhura për institucionet dhe zyrat e shtetit, do të analizohen imtësisht qark për qark dhe pastaj nis realizimi i operacionit; “Të punësuarit e LSI-së, për skrap”.

SYRI.net