SYRI TV/ Prodhimet e fermerëve të Korçës nuk shiten: Shteti nuk na jep subvencione, nuk po frenon importet
Fermerët e zonës së Korcës kanë shpallur falimentin pasi prodhimet e tyre u kanë mbetur stok dhe tashmë ato po kalben. Dhjetra bujq të zones, që kultivojnë qepë thonë se produktet e tyre nuk shiten pasi shteti nuk frenon importin duke bërë që prodhimi vendas të hidhet në kanal. Bujqit e juglindjes thonë se këtë vit do ti lënë toka djerrë pasi me dështimin e vitit që lam pas, ekonomia e tyre është rrënuar tërësisht. Ata thonë nuk kanë asnjë shpresë për subvencione nga ana e shtetit.
Fermerët e Juglindjes po përballen me një situatë të vështirë, ku prodhimi i qepëve mbetet i pashitur dhe në shumë raste hidhet në kanal. Fermerët e fshati Leminot thonë se shesin prodhimin e tyre me çmime të papërfillshme.
Sipas fermerëve, problemi kryesor është mungesa e mbështetjes nga shteti dhe konkurrenca e padrejtë me importet e huaja. Ata theksojnë se shteti duhet të kontrollojë importin për të mbrojtur prodhimin vendas.
Edhe fermerët e tjerë në fshatra të tjerë të Korcës shprehin të njëjtat shqetësime. Në fshatin Pirg bujqit thonë se kavaletat me qep po mbijnë pasi nuk po arrijnë ti shesin. Ata thonë se kanë falimentuar dhe se këtë pranverë nuk do të mbjellin pasi mundësit ekonomike janë zero.
Për shumë fermerë të zonës së juglindjes, ky sezon ka qenë i dështuar. Disa nuk arritën as të nxjerrin shpenzimet, duke u detyruar të përdorin fadroma për të hedhur qepët e pashitura ne kanalet e fshatrave. Ndërkohë që shteti nuk ka asnjë projekt për rimëkëmbjen e bujqive të cilët jetesën e tyre e kanë të lidhur direkt me prodhimet e fermës.