'Gjenocid ndaj popullit shqiptar', Binaj: Përdoren 35 pesticide të dëmshme në produktet ushqimore

Në emisionin “Kafe Shqeto” të moderuar nga Flavio Qarri, Florjan Binaj, moderatori i emisionit “Piranjat”, ka theksuar se 35 helme, të cilat bien në kontakt me tokën dhe që kërkojnë vite për t’u zhdukur, ndotin lumenjtë dhe përrenjtë, duke shkaktuar një dëmtim të madh të mjedisit. 

Sipas tij, përmasa e vërtetë e situatës është një gjenocid i ngadaltë që po i bëhet popullit shqiptar. Binaj u shpreh gjithashtu se shëndeti i qytetarëve është në rrezik dhe se institucionet që paguhen nga taksat e popullit duhet të veprojnë për të ndryshuar këtë situatë. Ai denoncoi edhe mungesën e përgjegjshmërisë në nivelin institucional dhe shoqëror, duke theksuar se ka një nevojë urgjente për veprime. Sipas tij, institucionet duhet të mbajnë përgjegjësi për pasojat që krijojnë, ndërsa autoritetet duhet të bëjnë më shumë për të kontrolluar përdorimin e pesticideve.

Binaj:

Përmasa e vërtetë është që kemi të bëjmë fjalë për fjalë me një gjenocid të ngadaltë ndaj popullit tonë, sepse janë 35 helme që normalisht, siç e thanë dhe ekspertët gjatë kronikës që bëmë tek Piranjat, bien në kontakt me tokën, duan shumë vite që të ikin nga toka, pra çdo gjë që mbillet tek ajo tokë…

Janë ndotur lumenjtë, janë ndotur përrenjtë, është ndotur praktikisht një sipërfaqe tmerrësisht e madhe dhe ky është një gjenocid i ngadaltë që po i bëhet popullit tonë dhe unë nuk e di se çfarë duhet të ndodhë më, që të gjitha institucionet që paguhen nga taksat tona të vënë në lëvizje veten e tyre.

Më bën shumë përshtypje që, kur vjen puna për të postuar se çfarë ka bërë kryeministri ose X ose Y, janë të gjithë gati për t’i postuar, kur vjen puna për të mbajtur përgjegjësi për diçka që ka të bëjë me shëndetin tonë, pra ne nuk kemi më armiq të jashtëm, por i paskemi këtu të brendshëm, kur vjen puna këtu: ‘Të lutem se kam një punë’, ‘Të lutem se duhet të iki se kam një mbledhje’, e të tjera me radhë, dhe kjo është me të vërtetë një mungesë përgjegjshmërie.

Për të mos folur pastaj për nivelin e reagimit shoqëror që është bërë si t’i thuash një zombi: të kanë rënë dhëmbët, zombi është bërë zombi, ia kanë prerë urat e komunikimit me trurin.

Këto 35 pesticide nuk do duhej të ishin fare në listën e produkteve të përdorura dhe përveç se nuk duhet të ishin, duhej të kishte autoritete që duhet ta matin, ta kontrollojnë në mënyrë të vazhdueshme, permanente. Ka një autoritet, por që nuk funksionon.

Duhet matur a ndodh apo s’ndodh kjo gjë, se ndonjëherë një fermer, ose një fshatar, ose një bujk e bën këtë edhe nga padija, por pikërisht janë institucionet që nuk duhet ta lënë këtë padije të na marrë në qafë.