7 muaj pas arrestimit të Bledi Filipit, poeti Lirim Alija rikthehet në Shqipëri, përballet jashtë gjykatës me familjarët e...

Sezonin që lamë pas, ndamë me ju historinë sa të dhimbshme aq dhe të pabesueshme të Lirim Alisë, poetit shqiptar nga Maqedonia e Veriut, i njohur më së shumti për tekstet e këngëve të grupit muzikor ‘Elita 5’. Ai erdhi për të na rrëfyer me detaje se si kaloi një nga periudhat më të errëta të jetës së tij, gjithçka shkaktuar nga 43-vjeçari Bledi Filipi, mësues në Divjakë, njëkohësisht shok dhe mik i afërt me Lirimin. Gjithçka filloi me një premtim të Bledit për punësimin e Lirimit në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, më pas për botimin e një libri me poezi, ndërsa më pas gjithçka degjeneroi në trillime, kërcënime, shantazhe, etj. Mësuesi nga Divjaka krijoi një profil të zi të Lirimit, me qëllimin që gjithë këtë “llum“ t’ja pastronte në këmbim të parave. Pasi e thuri mjaft mirë rrjetën, Bledi kishte në dorë edhe “zgjidhjen e problemit”.

“Kam gjetur një mik që njeh punët e policisë dhe punët sekrete që ai t’i fshijë të gjitha çfarë ke shkruar në historinë tënde të shkrimeve. Ai miku ka kushte, kërkon ndonjë ndihmë materiale“, i thoshte Bledi-Lirimit.

Më pas filluan kërcënimet.

“Ti lekët në këtë orë duhet t’i dërgosh patjetër, fluturo, gërrmo bëj ç’të duash. Ti lekët në këtë kohë! Po e idhnove mikun, për ty problem i madh”, i thoshte Bledi. 

Situata e presioneve zgjati për rreth 10 muaj, duke i shkaktuar Lirimit një dëm të konsiderueshëm financiar, por edhe një terror psikologjik, deri në momentin kur i këshilluar nga miqtë e të afërmit, vendos të bashkëpunojë me ne, për t’i dhënë fund njëherë e mirë këtij makthi. Bledi Filipi u ftua nga ne për një bisedë lidhur me arsimin që gjoja do të bëhej në studiot e Syri TV. Ai e pranoi ftesën ndërsa paralelisht ne u organizuam me organet ligjzbatuese. Pasi bëmë denoncimin në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, qëndruam në pritje të mashtruesit. Në orarin e caktuar, 43-vjeçari mbërriti në redaksi duke u rehatuar si në shtëpinë e tij, ndërkohë që ne bashkë me Lirimin dhe agjentët e policisë, ishim vendosur në zyrën ngjitur. Lirimi iu bashkua ish-mikut të tij dhe gjatë bisedës, Bledi e pranoi gjithçka i kishte bërë Lirimit, madje nisi ta kërcënojë aty. Në përballjen me fakte me gazetarin e Piranjave, Freard Rista, mësuesi nga Divjaka pranoi gjithçka. Kështu Bledi u arrestua në flagrancë pasi veç audio dhe videove tona, policia në ato çaste kreu përgjime ambientale me urdhër të prokurores së çështjes, në zyrës e së cilës ndodhej edhe dosja me gjithë faktet e grumbulluara, ndërsa Lirimi fitoi qetësinë e munguar prej vitesh. Të nesërmen e 13 korrikut 2024, ai udhëtoi për në Itali, e në këto shtatë muaj, kanë ndodhur gjëra të reja, kjo është dhe arsyeja e rikthimit të Lirimit në Shqipëri. Dikush donte të ndërmjetësonte.

“U paraqit ai personi, “jam nga Kukësi. Unë kam marrë si obligim, sepse njoh kryetarin e Bashkisë së Divjakës, dhe ai më ka thënë, ‘ne këtu në Divjakë jemi të gatshëm, kemi mbledhur të holla, atë shumën që ia ka marrë t’ja japim Lirimit, ta lehtësojmë atë (Bledin) nëse ai pranon të bëjë një deklaratë pasi të marrë lekët që me kaq mbaron’”. Pastaj më thirri një ditë tjetër, “nëse dëshiron, këtu është edhe babai i Bledit”, folëm ne me video. “Kur do vish në Maqedoni”? Aty nga Viti i Ri. Edhe erdha. Më thirri ai ndërmjetësuesi, “do vi unë dhe tre persona të tjerë në Tetovë të t’i sjellim lekët”. Erdhën atë ditë, u takuam. Unë prisja që të m’i jepnin dhe ta kryenim punën. I ati, nëse ka qenë i ati i Bledit, thotë “Po sikur ti të vije në Tiranë të jap gjysmat, pastaj gjysmat e tjera dhe ti të bëje një deklaratë te avokati ynë”. Pastaj erdhi ai ndërpmjetësuesi “ne i kemi thënë Lirimit që do ja japim të gjitha lekët, çfarë bëni kështu?! Të gjitha lekët i ke, por nuk i kemi, brenda javës do i kesh”. Kalojnë një javë. Më thirri prapë “shiko babën e ka shumë sëmurë me trombozë në spital, nuk dimë çfarë të bëjmë, hajde në Tiranë”. Unë lekët i dua në Tetovë. Prej asaj dite nuk më ka thirrur fare”.

Në pritje të një takimi me ndërmjetësuesit, afroi dhe data e seancës paraprakte e gjyqit. Prandaj të nesërmen u nisëm për në Fier. Mbërritëm jashtë gjykatës në pritje të nisjes së seancës. Aty Lirimi u përball me familjarët e Bledit, të cilët dëshironin të rilidhnin kontaktet me poetin nga Tetova dhe më e rëndësishmja, ta dëmshpërblenin. Prindërit e 43-vjeçarit kishin shitur një tokë në Divjakë dhe një pjesë të parave, 23 mijë euro, ishin të gatshëm t’ja jepnin poetit nga Tetova. Ndërkohë edhe avokati ishte vënë në dijeni të marrëveshjes për shlyerjen e dëmit. Pasi të gjitha palët u dakortësuan, në zyrën noteriale më të afërt u konkludua deklarata, në të cilën Lirimi shprehu se shumën e dhënë ndaj Bledi Filipit, po e merr prej nënës së tij, dhe se pas këtij likujdimi, nuk do të ketë më asnjë pretendim tjetër ndaj 43-vjeçarit, me qëllimin se kjo deklaratë, veç normalizimit të marrëdhënieve mes dy familjeve, do të shërbejë edhe për të lehtësuar pozitën e Bledit në procesin gjyqësor.