Mandarinat me helme që bllokoi Kroacia iu shitën qytetarëve shqiptarë

Mandarinat me helme, që u bllokuan nga Kroacia në dhjetor të vitit të kaluar, iu shitën qytetarëve shqiptarë pas kthimit nga shteti fqinj.

Edhe pse produktet e rrezikshme duhet të ishin shkatërruar, ato janë rihedhur sërish në treg, nën hundën e Autoriteti Kombëtar të Ushqimit dhe gjithë strukturave të tjera shtetërore që duhet të garantojnë shëndetin dhe jetën e konsumatorëve.

Skandali i rëndë është konfirmuar nga prokuroria e Beratit. WebLajm.com informon se një ditë më parë, organi i akuzës arrestoi tre persona, mes të cilëve dhe një inspektor të AKU-së në Berat, të cilët pas kthimit të mandarinave nga Kroacia, në vend të groposjes dhe shkatërrimit të tyre i kanë rihedhur sërish në treg duke iu shitur qytetarëve 10 ton mandarina me helme.

Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, pas hetimeve disa mujore të kryera në kuadër të Procedimit Penal nr. 768 të vitit 2024, ka regjistruar për veprat penale:

“Shkelja e rregullave mbi lëndët helmuese”
“Prodhimi dhe shitja e ushqimeve dhe lëndëve të tjera të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”
“Mashtrimi me produktet ushqimore”
“Shpërdorimi i detyrës”.

Këto veprime janë parashikuar nga nenet 281, 288, 288/c dhe 248 të Kodit Penal. Si rezultat i hetimeve, janë ndaluar shtetasit:

Arben Dyli, lindur në vitin 1969
Elton Tafa, lindur në vitin 1979
Elson Tahiraj, lindur në vitin 1995.