Flavio Xhaferi në 'Odeon': Është e vështirë të besosh kur të krahasojnë me legjenda të valles shqiptare

Valltari i njohur Flavio Xhaferi foli në "Odeon" për aftësitë e tij artistike si solist në programin dedikuar Kërcimtarit Fluturues, Rexhep Çeliku. Ky eveniment ka qenë një homazh për një nga figurat më të mëdha të artit të vallëzimit shqiptar, i cili ka lënë një trashëgimi të jashtëzakonshme në skenat e Shqipërisë dhe të botës. Flavio Xhaferi, i njohur për pasionin dhe talentin e tij, ka interpretuar disa nga vallet më të rëndësishme të repertorit shqiptar, duke ndihmuar për të ruajtur dhe pasuruar traditën e vallëzimit. Në këtë ngjarje, Flavio Xhaferi ka performuar vallen e “Çobanit” dhe “Vallen e Shqipeve”, duke sjellë një interpretim të ndjerë dhe të fuqishëm që ka mahnitur publikun. Me respekt për brezat që kanë lënë një pasuri të jashtëzakonshme dhe duke u inspiruar nga mjeshtrat e valles shqiptare, Flavio ka ruajtur esencën e këtyre valleve, duke i dhënë atyre një ngjyrim të ri dhe një interpretim të freskët.

Biseda me Flavio Xhaferin në "Odeon":

Egla Xhemalaj: Flavio, na trego diçka më shumë për emocionet që ke ndjerë ndërkohë që interpretoje rolet e Rexhep Çelikut dhe të tjerë mjeshtra të valles. A është e vështirë të bartësh peshën e këtyre performancave?

Flavio Xhaferi: Është emocion i madh, pa dyshim, të performosh role që Rexhep Çeliku ka interpretuar më parë. Po ashtu edhe Besim Zekthi dhe shumë të tjerë të mëdhenj. Në këtë rast, për Rexhepin është një peshë shumë e rëndë të jesh solist, por emocionet qëndrojnë gjithmonë. Kurrë nuk mund t’i zhduk dot nga vetja. Kemi punuar shumë për këtë shfaqje, dhe ndihemi gati për këtë moment. Jam shumë i lumtur që, pas shumë provash, jemi në nivelin që kërkojmë.

Egla Xhemalaj: Vallja ka teknikat e veta që janë goxha të mundimshme dhe kërkojnë shumë punë për t'u sjellë në një mënyrë dinjitoze. Si ka qenë ky proces pune për ty?

Flavio Xhaferi: Kemi punuar shumë, dhe shumë shpejt. Siç nisi sezoni dhe kalendari, një muaj pune është i mjaftueshëm, por ka pasur edhe lëndime dhe dhimbje nga sforcoja e madhe. Megjithatë, falë punës së palodhur të kolektivit dhe timen, besoj se jemi gati të shkëlqejmë.

Egla Xhemalaj: Po kur performove vallen e Çobanit, doja të dija më shumë për atë moment. A ka një moment emocionues që do të veçoje nga repertori që ke sjellë?

Flavio Xhaferi: Po, vallen e Çobanit ka diçka të veçantë. Nuk ka epizëm, nuk ka luftë, por sjell një moment hareje që është shumë i bukur. Kam punuar shumë për atë valle, dhe për herë të parë e kam performuar si solo, një rast i jashtëzakonshëm për mua.

Egla Xhemalaj: Si ndjehesh kur lidhesh me një brez të shkuar dhe ndihesh pjesë e atij trashëgimie të pasur artistike?

Flavio Xhaferi: Ata na kanë lënë një pasuri të madhe. Kur i shohim në video, ata që i kanë takuar, na tregojnë për to. Na duken si mite, sikur po flasim për Zota. Është e vështirë të besosh kur të krahasojnë me legjenda të valles shqiptare, por ky është një nder i madh. Të dridhet trupi në skenë është një ndjesi që shumë herë e kanë bërë ata legjendat, dhe unë po mundohem ta arrij këtë nivel të madh që kanë lënë ata.