‘Edhe mushkonjat e shtëpisë do të t’i vras’/ Zbardhet shkaku pse ‘Ben Qimja’ kërcënoi gjyqtarin e Fierit

Edhe pse ditën e djeshme u ushtrua një kontroll i imësishëm në banesën e tij në zonën e Fierit, Arben Isufaj, i njohur ndryshe si “Ben Qimja”, nuk është kapur nga uniformat blu. Ai është shpallur në kërkim pasi dyshohet se ka kërcënuar gjyqtarin e Gjykatës së Fierit.

Mësohet se zanafilla e konfliktit ka nisur për një çështje që gjyqtari Vladimir Cjapi ka në ngarkim. Bëhet fjalë për çështjen gjyqësore “Kundërshtim i punonjësve të policisë”, ku i pandehur është një nga nipat e “Ben Qimes”.

Dyshohet se Isufaj i ka kërkuar ndihmë gjyqtarit, por ky i fundit nuk ka pranuar dhe për pasojë është pritur keq.

“Mbaje mend se çdo të të bëj, edhe mushkonjat e shtëpisë do t’i vras”, dyshohet të jetë ky mesazhi kërcënues që Isufaj i ka dërguar gjyqtarit.

Menjëherë pas mesazhit, gjyqtari Cjapi bërë kallëzim në polici. Nga kontrollet që forcat RENEA kanë bërë në banesat, ambientet dhe automjet që janë në pronësi të 55-vjeçarit kanë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë, një palë targa të huaja, jelek multifunksional si i Policisë, 2 pajisje DVR, 6 celularë dhe dokumente zyrtarë.

55-vjeçari akuzohet për veprat penale “Kanosja e gjyqtarit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.