VIDEO/ Çoku: Kaosi i shkaktuar nga sistemet sociale dhe ekonomike të vendit kërcënon familjen shqiptare

Në një intervistë për programin “Kafe Shqeto” në Syri TV, aktivistja dhe pedagogu i Sociologjisë, Belioza Çoku, ndau mendimet e saj për sfidat aktuale që po kalon familja shqiptare. Ajo theksoi se mbrojtja e interesave të çdo individi, sidomos në aspektin politik, është një detyrim i domosdoshëm për çdo person që mban përgjegjësinë e këtij shteti.

Çoku u shpreh se fenomeni i wokizmit nuk ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në shoqërinë shqiptare, por fokusi duhet të jetë te problematikat e familjes shqiptare. Ajo theksoi se prindërit po përballen me vështirësi të mëdha për të pasur kohë cilësore për familjen për shkak të kushteve ekonomike dhe kërkesave të sistemit. Sipas saj, politika dhe ekonomia e aktuale kanë shtuar varfërinë dhe vështirësitë për shumë familje, duke i bërë ato të luftojnë për mbijetesë. 

Çoku:

Mbrojtja dhe interesi ndaj çdo individi, sidomos në pikëpamjen politike, në qasjen politike, është detyrim i çdokujt që merr çelësat e këtij shteti.
Unë vazhdoj të them që tek ne nuk pati wokizmi një impakt të jashtëzakonshëm, por problem i familjes shqiptare nëse do ndalonim ka kohë që është në qendër të vëmendjes, por jo të politikës.

Prindërit nuk kanë kohë cilësore për të qenë në familje, sistemi është i atillë që duhet të punosh aq gjatë dhe të ardhurat në fund të ditës të rezultojnë që me të gjitha politikat e premtuara ekonomike, ne më shumë i japim shtetit për atë që varfërohet, që pastaj si llogarisim fare sepse ata e kanë shumë të vështirë të mbijetojnë dhe të jenë cilësisht, mendërisht dhe fizikisht në familje, dhe nga ana tjetër shkolla, nga ana tjetër shërbimet, e gjitha kjo ka sjellë një kaos dhe kjo është arsyeja që ka vënë familjen në pikëpyetje.