SYRI TV/ Taksistët e terminalit, 4 ditë pa zgjidhje: Po pengohemi në punën tonë

SYRI TV

Prej 4 ditësh, taksistëve që ushtrojnë aktivitetin e tyre pranë terminalit të ri Jug-Veri, ende nuk u është dhënë asnjë zgjidhje. Edhe pse me taksi të licencuara, ata vijojnë përplasjet me policinë bashkiake që tenton t’i largojë me forcë nga Terminali, pa u dhënë asnjë shpjegim.

Përballë kësaj situate, taksistët ngrenë dyshime se vendi i tyre synohet të zaptohet nga kompani private, duke lënë në mëshirë të fatit dhjetëra taksistë që kanë shërbyer prej shumë vitesh pranë Terminalit. 

Taksistët pohojnë se kanë shkuar në terminal pasi aty janë zhvendosur automjetet që transportojnë pasagjerët dhe kanë qëndruar në vendin e taksive pa penguar qarkullimin. Ata thonë se po pengohen në punën e tyre të ligjshme, teksa janë të vendosur të mos i heqin taksitë nga vendi që u takon derisa t’u ofrohet zgjidhje konkrete.

Disa prej taksive në terminal janë bllokuar nga forcat e policisë, por taksistët që preken nga ky aksion janë të vendosur të mos largohen nga zona. Thirrjet e tyre i drejtohen kryeministrit dhe institucioneve përgjegjëse.