Kandidati i PD: Në një fshat të Elbasanit nuk mora as votat e komisionerëve demokratë

Kandidati i Partisë Demokratike Fitim Zekthi, i 6-ti në Qarkun e Elbasanit i ftuar në “Arena” nga Dritan Hila në Ora News, tha se në një fshat të Elbasanit nuk ka marrë as votat e komisionerëve.

“Nuk ka mundësi që në Qarkun e Elbasanit, PDIU që nuk ofron asnjë program të dalë forca e dytë. Ata funksionojnë si një parti me njerëzit e tyre në çdo qendër votimi. Ata nuk bëjnë fushatë. Rrinë aty dhe duan 100 vota për qendër votimi. Gjatë kohës targetojnë njerëz. Natën e së premtes paguajnë paratë. Jo vetëm PDIU, por edhe LSI dhe PS e ka bërë masivisht.

Elbasani është një qark që rreh majtas. Mund të jetë një diferencë 8 me 6 për të majtën, por kurrë 9 me 5 dhe aq më pak me 3 për të djathtën. Është një fshat që quhet Lisaj. Atje nuk ka rrugë. Kishte një tërsëllëm të tmerrshëm kundër qeverisë. Ata mbjellin duhan dhe nuk kanë marrë paratë. Unë kam marrë vetëm 6 vota, as votat e komisionarëve”, tha Fitim Zekthi.