47% e popullsisë mbi 15 vjeç në Shqipëri mezi shkruan dhe lexon! Nuk mund të prodhohet forcë e aftë pune
Afërsisht 47% e popullsisë mbi 15 vjeç në Shqipëri ka arritje të ulëta arsimore dhe një pjesë tjetër 35.2% vlerësohet se kishte njohuri mesatare në vitin 2023, evidentojnë të dhënat statistikore të Fondit Europian të Trajnimeve (ETF) një njësi që operon me financime të KE-së për politika që kanë të bëjnë me kapitalin njerëzor në vendet europiane që nuk janë ende pjesë e BE-së.
Vetëm një pjesë, 18.1% e popullsisë mbi 15 vjeç kishin arritje të larta arsimore.
Sipas ETF-së, kjo do të thotë se gati gjysma e popullsisë së Shqipërisë mbi 15 vjeç nuk është në gjendje të lexojë dhe të shkruajë një deklaratë të shkurtër të thjeshtë për jetën e përditshme dhe ta kuptojë atë.
Gjithashtu ata nuk është në gjendje të bëjnë llogaritje të thjeshta në aritmetikë.
Me këto aftësi, popullsia e Shqipërisë nuk mund të prodhojë forcë të aftë pune që mund të çojë vendin në nivele të tjera të zhvillimit.
Tani kur popullsia e vendit po plaket me shpejtësi dhe revolucioni teknologjik kërkon përditësimin të aftësive, Shqipëria mbetet shumë pas.
Sipas INSTAT në vitin 2024, shkalla e pjesëmarrjes në arsimin dhe trajnimin formal dhe joformal në popullsinë 25 deri në 34 vjeç qëndron në 1.8% dhe nën 0.5% për kategoritë e tjera mbi këtë moshë.
Ky rezultat është shumë larg mesatares së BE-së, duke nënvizuar nevojën për të rritur mundësitë për aftësimin dhe trajnimin e të rriturve, rekomandon ET-ja.
Mirëpo vendit tonë i mungojnë shkollat e veçanta dhe qendrat e tjera burimore për aftësimin e popullsisë së rritur.
Vendi ynë duhet të zhvillojë përveç ambienteve edhe platforma të posaçme për zhvilluar mësime ndaj popullsisë së rritur.
Ndryshimet demografike me plakjen e shpejtë dhe normat e larta të emigrimit, paraqesin sfida të mëdha.
Popullsia e Shqipërisë po plaket dhe po përqendrohet në Tiranë, ndërkohë që shumica e rajoneve përballen shpopullim.
Sistemi arsimor po lufton me rënien e numrit të nxënësve, veçanërisht në arsimin profesional dhe nga ana tjetër ekziston një nevojë kritike për zhvillimin nismave të të mësuarit gjatë gjithë jetës./Monitor/