SYRI TV/ Adoleshentët shantazhohen me video intime, të rinjtë denocojnë krimet kibernetike
Dhjetëra të rinj në Korçë kanë rënë prehë sulmeve kibernetike, duke u shantazhuar me publikimin e videove dhe fotove me përmbajtje seksuale në rrjetet sociale. Të rinjtë kanë denoncuar shantazhet, ndërsa shprehen se disa prej tyre pas publikimit të videove apo fotove intime në rrjetet sociale, kanë tentuar të vetvriten. Ekspertët e krimit kibernetik në Korçë ngrenë alarmin se fenomeni është shumë i përhapur, ndërsa ligji nuk është efektiv. Policia thotë se ka pasur vetëm një denoncim për këto sulme, ndërsa ka mbyllur një nga faqet online ku publikoheshin materiale denigruese.
SYRI TV
Prej disa ditësh, dhjetëra të rinj, kryesisht adoleshentë, kanë rënë prehë shantazheve nëpërmjet publikimit të videove dhe fotove intime nga një faqe në rrjetin social Instagram në qytetin e Korçës.
Në faqen në Instagram, janë publikuar video dhe foto erotike të nxënësve të shkollave, me qëllim shantazhin dhe denigrimin e tyre. Disa prej të rinjve, që kanë qenë prehë këtyre sulmeve, treguan për mediat në kushtet e anonimatit, se kanë tentuar edhe vetëvrasjen.
Adoleshentët thonë se këto faqe hapen dhe mbyllen shpesh, ndërsa janë kthyer në shqetësim.
Situata ka qenë serioze, aq sa prindërit kanë ndërhyrë duke bërë denoncim në Polici, ndërsa nga kjo e fundit thuhet se ka nisur hetimet dhe është mbyllur faqja në Instagram. Megjithatë, eksperti i krimit kibernetik në Korçë, Thanas Diço, shprehet se në vetëm një ditë ka marrë 20 telefonata nga prindër për shantazhe të tilla të fëmijëve të tyre në faqet online.
Eksperti thotë se këto faqe kanë autorë të ndryshëm, ndërsa shprehet se ligjet për krimet kibernetike krijojnë hapësira të tilla.
Syri Televizion ka parë materialet denigruese të këtyre faqeve, të cilat kanë përmbajtje të rëndë për transmetim, ndërsa janë alarmante për shkak se publikimi i të tilla materialeve vënë në rrezik jetën e të rinjve, viktima të këtyre sulmeve.