SYRI TV/ Ish-uzina 'Autotraktori' në gjendje alarmante, banorët në kushte të mjerueshme
Gjatë një inspektimi në zonën e ish-uzinës ‘Autotraktori’, drejtuesi Politik i PD i degës nr.1 në Tiranë Andi Mustafaj, pa nga afër kushtet e vështira ku banorët jetojnë, ndërsa ngritën si shqetësim mungesën e ujit të pijshëm. Përballë kësaj situate, banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente, pasi uji i pijshëm përzihet me ujërat e zeza.
Gjithashtu, infrastruktura rrugore ndodhet në gjendje të mjerueshme, ndërsa mbetjet urbane janë të shpërndara pranë zonave të banuara, duke e rënduar më tej situatën. Një nga rastet më të rënda të evidentuara ishte ai i një banese me tre deri në katër dhoma, ku vetëm njëra kishte dritare, ndërsa të tjerat ishin të pabanueshme për shkak të lagështisë dhe mykut.
Banorët denoncojnë se nuk u lejohet të hapin as dritare në shtëpitë e tyre te legalizuara, çka përkeqëson më tej kushtet e jetesës. Përballë kësaj situate alarmante, banorët i bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse të ndërhyjnë urgjentisht për zgjidhjen e këtyre problemeve dhe për të garantuar kushtet minimale të jetesës në këtë zonë.