Vasili zbulon strategjinë malinje të Ramës: Ja si i zhvati votat kryeministri

Kryetari i LSI-së, Petrit Vasili është shprehur se ekzistoi një strategji e mirëmenduar nga Edi Rama e zbatuar, “pikë për pikë”, për t’i bërë presion njerëzve në zgjedhjet e 25 qershorit.

Vasili deklaroi sonte në emisionin “Opinion” se plani kishte një target grup njerëzish që përkrahnin LSI-në dhe u bënin presion se do pushohen nga puna.

Sipas tij, e veçanta e këtij plani nuk ishte vetëm fakti i presionit të njerëzve që përkrahnin atë forcë politike, por edhe njerëzit e tyre që nuk ishin pjesë e LSI-së, madje preferonin një subjekt tjetër politik.

Ai theksoi se njerëz të PS ushtronin presion drejtpërdrejt, me porosi të Edi Ramës, mbi njerëzit që kishin preferencë politike LSI-në.  

Vasili shtoi se bandat kriminale dhe policia kanë “qenë njësh” dhe u kanë bërë presion votuesve.

“Ju kanë bërë presion votuesve që të mos votojnë për LSI se do ti heqin nga puna, këto i kanë bërë njerëzit e PS më urdhër të Edi Ramës”.

“Ndaj votuesve është ushtruar dhunë dhe terror pasi të dhënat që kishte Partia Socialiste për zgjedhjet ishin tepër të ulëta për numrin e votave që do të merrte. Rama ishte në krye të këtij bashkëpunimi mes bandave kriminale dhe policisë për të vjedhur zgjedhjet”, tha Vasili.