‘Lagen’ telat në Gjirokastër, dhjetëra abonentë në errësirë, prefektura ‘fajëson’ motin

Qarku i Gjirokastrës u përfshi këtë të mërkurë nga reshjet e shiut, të shoqëruara me shkarkime atmosferike.

Reshjet kanë qenë me intensitet deri në mesatar, ndërsa si pasojë, disa zona kanë mbetur pa energji elektrike disa zona.

Prefekti i Qarkut Gjirokastër, ka bërë të ditur se ndërprerjet e energjisë elektrike të shkaktuara nga moti i keq janë rikuperuar në disa zona, përfshirë njësitë administrative Pogon dhe Dropull i Sipërm (Bashkia Dropull), Zagori (Bashkia Libohovë) si dhe Lunxhëri dhe Picar (Bashkia Gjirokastër).

Ndërkohë, vijon mungesa e energjisë në njësinë administrative Kurvelesh (Bashkia Tepelenë) dhe në lagjen “Kala” të qytetit të Tepelenës.

Sipas raportimeve nga strukturat vendore të Mbrojtjes Civile dhe Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër, deri tani nuk janë evidentuar situata problematike.

Rrugët kombëtare dhe rurale mbeten të kalueshme, ndërsa furnizimi me ujë të pijshëm dhe energji elektrike është i qëndrueshëm në shumicën e zonave.

Ndërsa problemi i mungesës së energjisë elektrike është ngritur herë pas here nga banorët e qarkut Gjirokastrës, sipas të cilëve shkak është rrjeti elektrik i degraduar.