‘Regjistrimi i diasporës nga PS, ministra, e jashtëligjshme’/ Milaqi: Sot paditëm në SPAK listën kapilare të një kryebashkiaku

Aktivisti i Diaspora për Shqipërinë e Lirë, Bledar Milaqi, i ftuar në A Show në SYRI TV me Adi Krastën, ka folur për problematikat e hasura deri tani në lidhje me regjistrimin e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit për zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit.

Milaqi ka ngritur shqetësimin se ‘me fakte i është kërkuar SPAK dhe KQZ-së, që të ndjeki dhe të zhvillojë një hetim qoftë penal apo administrativ ndaj titullarëve të PS, krerë bashkishë, ministra, njerëz që kanë poste publike dhe i shfrytëzojnë këto poste publike për regjistrimin masiv të diasporës’.

Gjithashtu Milaqi bëri me dije se ditën e sotme është paditur në SPAK kreu i një bashkie të madhe,  me listë të përpunuar me databazë kapilare nga kreu i bashkisë deri në nënpunësin e thjeshtë.

Intervista:

Milaqi: Kemi ngritur me fakte dhe kemi kërkuar jo më larg se dje dhe për dijeni të SPAK dhe KQZ-së, i kemi drejtuar shkresë që të ndjeki dhe të zhvillojë një hetim qoftë penal apo administrativ ndaj titullarëve të PS, krerë bashkishë, ministra, njerëz që kanë poste publike dhe i shfrytëzojnë këto poste publike për regjistrimin masiv të diasporës. Ne i ndajmë këto shqetësime. Nuk mund të garantojmë asnjë siguri në lidhje me integritetin e çështjes së votës.

Krasta: Keni ndonje ndjesi që po luajnë me ju?

Milaqi: Nuk e ndaj këtë shqetësim pasi ne jemi marrë dhe me agjenci të mëdha në Gjermani dhe jemi marrë për të identifikuar mënyrën se si voton diaspora dhe e gjithë ky angazhim i madh i strukturave të qeverisë dhe PS tregon që jo vetëm nuk e kanë në kontroll diasporën, por nuk arrijnë të shtrijnë tentakulat për të influencuar diasporën dhe përdorin ato presionet e familjarëve në administratë dhe sot na vijnë shqetësime nga qytetarët. Sot kemi depozituar padi konkrete me listë të përpunuar me databazë kapilare nga kreu i bashkisë deri në nënpunësin e thjeshtë dhe kjo është padi e depozituar sot pranë SPAK.