Dje uroi Vuçiçin si President i Serbisë, Thaçi uron sot dhe Ramën për fitoren

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka uruar me një telefonatë, Kryeministrin e Shqipërisë Edi Ramën për fitoren e mandatit të dytë një ditë pasi uroi edhe Aleksander Vuçiç në postin e Presidentit të ri të Serbisë.

Lajmin e ka njoftuar vetë Thaçi në rrjetet sociale sot më 28 qershor 2017:

"Sot urova Kryetarin e Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe mikun tim, Edi Ramën, për fitoren në zgjedhjet e 25 qershorit. Përtej garës partiake, mbarëvajtja e zgjedhjeve të lira dhe demokratike ishte një fitore për Shqipërinë dhe qytetarët e saj.

Prandaj, uroj të gjitha institucionet shtetërore të Shqipërisë për suksesin e arritur dhe jam i sigurt se bashkëpunimi vëllazëror dhe institucional me Shqipërinë do të intensifikohet edhe më shumë."

Ndërsa dje, Thaçi tha se uroi edhe Presidentin e ri të Serbisë: "Zhvillova një bisedë telefonike me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të cilin e urova për detyrën e re. Gjithashtu, diskutuam dhe u pajtuam të vazhdojmë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe të punojmë bashkërisht për zgjidhjen e të gjitha çështjeve me interes të ndërsjellë."