Moti i kthjellët mbizotëron në vend, ja si paraqiten temperaturat sot
Këtë të diel, Shqipëria do të karakterizohet nga moti i kthjellët dhe temperaturat relativisht të ngrohta, si pasojë e depërtimit të masave ajrore me origjinë perëndimore – veriperëndimore drejt Ballkanit.
Megjithatë, zonat malore në lindje të vendit do të përjetojnë herë pas here vranësira të shpeshta, por nuk priten reshje.
Sa i përket temperaturave, ato do të pësojnë rritje të lehtë në vlerat minimale dhe ulje të lehtë në ato maksimale. Temperaturat pritet të variojnë nga 2°C në qytetin e Peshkopisë deri në 19°C në Fier.
Era do të jetë e lehtë dhe mesatare në tokë dhe det, me një shpejtësi deri në 45 km/h nga drejtimi jugor, duke shkaktuar dallgëzim deri në 3 ballë përgjatë brigjeve detare.