Lekë Tasi në 'Odeon': Të gjithë bashkë e të gjithë veç, njëkohësia kriza e njeriut për të qenë kudo
Në një bisedë të thellë në “Odeon”, krijuesi i shumëanshëm Lekë Tasi ndau reflektime mbi konceptin filozofik të njëkohësisë, të cilën e përshkruan si krizën ekzistenciale të njeriut për të qenë kudo dhe për të kuptuar gjithçka, ndërkohë që mbetet i izoluar në kohë dhe hapësirë. Poezia e tij "Njëkohësia" pasqyron këtë ndjesi të ndërlikuar përmes imazheve të fuqishme poetike, duke sintetizuar përvojën moderne si një gjendje ku "të gjitha janë bashkë, por secila veç". Interpretimi i vargjeve nga moderatorja Egla Xhemalaj zbuloi dimensionin filozofik dhe ekzistencial të kësaj poezie, duke vënë theksin te fuqia e imazhit poetik për të përshkruar ndjesinë e izolimit dhe kompleksitetin e jetës bashkëkohore. “Njëkohësia më pushton tejetej, më mposht aty ku jam më i fortë,” – vargjet e Tasit mbetën thellësisht reflektuese për kohën tonë.
Pjesë nga biseda:
Egla Xhemalaj: Le të rikthehemi sërish te vëllimi juaj poetik, titulli bart një koncept filozofik, “njëkohësia” është një koncept filozofik. Si e përkufizoni ju njëkohësinë dhe si e pasyron ajo njdjesinë e jetës bashkëkohore në poezinë tuaj?
Lekë Tasi: Njëkohësia është një krizë që ka njeriu për të qënë kudo, për t'i marrë vesh të gjitha dhe e sheh veten të izoluar, nuk i merr vesh ato që ka rrotull vetes. Kështu që kjo përplasje tregohet në këtë poezi te "Njëkohësia", që unë vij në kontakt në vazhdimësi me gjëra të ndryshme dhe dua ta afirmoj veten si njohës i gjithçkaje. Kjo është aspiratë e njeriut që ka sens filozofik dhe ekzistencial. Unë mund të shpreh të vërtetën atë se çfarë është, ky moment ose kjo botë mund ta shpreh, po nuk kam mundësi ti njoh të gjitha se jam i izoluar në vend dhe në kohë. Jam këtu dhe nuk marrë vesh çfarë ndodh jashtë. Këtë e kam bërë si poezi duke e vendosur individin në faza të ndryshme që e sheh se edhe të tjerët janë në po atë kusht izolimi. Prandaj edhe e kam quajtur “Njëkohësia”, të gjithë bashkë dhe të gjithë veç.
Egla Xhemalaj: Përkon shumë me kohët që po jetojmë sot, të gjithë bashkë e njëkohësisht të gjithë veç. Mbani mend ndonjë nga vargjet e poezisë njëkohësia, pasi është shumë e bukur tematika.
Ju më shprehët dëshirën që unë ta lexoj këtë poezi, shpresoj që ti përafrohem asaj që ju do të donit në interpretim.
“Qyteti duke na u afruar,
treni me një kthesë të gjerë
la mbrapa shtrirjen moçalore që verbonte
dhe hyn në hijen e përjetshme
me erë lëkurësh, lagështirë deposh,
me magazina pambarim,
shtëpi të zymta pa gëzim,
rroba të varura, ndërprerje rrypash dielli,
që i veshim- heqim vrik sa marrim shpejtësi
Mure pastaj të leskruar, të martirizuar
tek rrijnë ashtu sahata dielli
Piaca me gjindje mbushur, rrugë
indiferencë e përhapur gjer në çuna
kokë më kokë, një këlysh në mes
tërë të përpirë tek E TYRJA
gusha dyfishe që lexojnë gazeta
garsonë që fshehin përqeshjen duke i pritur
Njëkohësia më pushton tejetej
më mposht aty ku jam më i fortë
të gjitha bashkë
secila veç!”
vargu që ju cituat pak më herët apo jo “të gjitha bashkë, secila veç”. Më pëlqen shumë fortësia e imazhit tuaj, mënyra se si thoni në këtë, po them, grupim fjalësh të përzgjedhura një gjendje, një ndjesi të thellë. Është një poezi filozofike e thellë që na bën të kuptojmë edhe të përjetojmë më shumë kohët e sotme nëse do më lejonit edhe këtë përjetim të tanipërtanishëm të asaj që lexova në vargjet tuaja.