Projeksioni/ Ja si kanë ndryshuar votat për PD, PS dhe LSI nga viti 2013 dhe sot

Partia Socialiste ka fituar zgjedhjet parlamentare duke siguruar 74 mandate, sipas të dhënave paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

E dyta në këto zgjedhje u rendit Partia Demokratike duke siguruar 43 mandate deputetësh, ndërsa e treta LSI me 19 mandate. PDIU siguroi 3 mandate. Ndërsa PSD 1, në Shkodër, duke bërë që Tom Doshi të zgjidhet sërish deputet.

Mandatet

Në këto zgjedhje nuk kishte koalicione ashtu si në parlamentaret e vitit 2013. Për nga numri i mandateve, PS shënoi një rritje në krahasim me zgjedhjet e fundit parlamentare. Po ashtu, edhe LSI. E vetmja parti e madhe që ka shënuar rënie, është PD.

PS mori 74 mandate, nga 65 në zgjedhjet e 2013-ës, duke u rritur me 9 mandate.

PD mori 43 mandate, nga 50 në zgjedhjet e 2013-ës, duke rënë me 7 mandate.

LSI mori 19 mandate, nga 16 në zgjedhjet e 2013-ës, duke u rritur me 3 mandate.

Numri i votave

Ashtu si mandatet e fituara, Partia Socialiste shënoi numrin më të madh rritjes së votave në të gjithë Shqipërinë, në këto zgjedhje parlamentare. Edhe LSI shënoi rritje, ndërsa votat e PD-së u tkurrën.

Në vitin 2013 PS mori 713.407 vota në të gjithë Shqipërinë, ndërsa në 2017-ën 763.999 vota. Pra 50.592 vota më shumë.

LSI arkëtoi 180.470 vota në vitin 2013 në të gjithë vendin, ndërsa këtë vit 225.678 vota, duke rritur elektoratin e saj me 45.208 vota.

Ndërsa, Partia Demokratike ka njohur tkurrje të elektoratit në krahasim me parlamentaret 2013. Atë vit, 528.373 vota shkuan për PD-në, ndërsa në këto zgjedhje, PD u votua 455.481 herë. Partia më e madhe opozitare njohu kështu një reduktim elektorati me 72.892 vota.

*Krahasimi është bërë duke iu referuar të dhënave zyrtare të KQZ-së për zgjedhjet Parlamentare të vitit 2013 dhe të dhënave paraprake të KQZ-së për zgjedhjet e 2017-ës për: PD, PS, LSI.

/SYRI.net/