SYRI TV/ Qatromi fshati afër Korçës, i harruar, banorët: Të rinjtë janë larguar sepse s’ka punë
Fshati Qatrom në Korçë prej kohësh është lënë në harresë, edhe pse ndodhet jo shumë larg qytetit.
Banorët shprehen se ka mungesë të infrastrukturës, por gjithashtu në këtë dimër kanë vuajtur edhe mungesë të dritave. Sipas tyre të rinjtë janë larguar sepse nuk kanë motive dhe punë për të qëndruar.
Edhe pse ndodhet shumë pranë qytetit te Korçës, Qatromi është lënë në harresë nga institucionet shtetërore. Infrastruktura është ajo çka të bie në sy sapo hyn në këtë fshat. Rreth 20 familje nuk kanë kanalizime te ujërave të zeza duke i detyruar këta të fundit të derdhin ato në një kanal i cili shkakton një aromë të keqe duke qenë rrezik për sëmundje.
Gjithashtu banoret në këto ditë të ftohta dimri ku temperaturat kanë shënuar minus kanë pasur mungesë edhe të energjisë elektrike.
Të moshuarit tregojnë se në fshat ka shumë më pak banorë, shumë pak të rinj, kjo shihet edhe te numri i pakët i fëmijëve në shkolla.
Mungesa e investimeve në zonë por edhe pamundësitë ekonomike kanë sjellë shpopullim të Qatromit i cili dikur ka pasur afro 800 banorë e sot numëron afro 250 ndonëse konsiderohet edhe nga vetë banorët si lagje e qyteti të Korçës.