Punonjësit e ujësjellësit Vlorë ngrihen në protestë: Kërkojmë pagat e prapambetura, drejtori nuk pranon të na takojë

Një grup i madh punonjësish të Ujësjellësit Vlorë kanë mbajtur një protestë sot në drejtorinë e këtij institucioni, duke parashtruar kërkesat e tyre për kushte më të mira pune dhe trajtim të drejtë.

Në protestë ishin të pranishëm faturistë, inspektorë dhe hidraulikë, të cilët e kanë shprehur shqetësimin e tyre për abuzimet dhe vështirësitë që përballen çdo ditë në vendin e punës.

Punonjësit po detyrohen të punojnë edhe gjatë fundjavave, duke shkelur rregullat e pushimeve dhe orëve të punës. Kjo është një ngarkesë shtesë për ta.

Një tjetër shqetësim i madh është paga e ulët. Sipas tyre, rroga mujore është vetëm 35 mijë lekë, një shumë që është shumë më e vogël se sa kërkohet për të mbuluar shpenzimet e jetesës.

Punonjësit kanë shprehur gjithashtu shqetësimin për kërcënimet për heqje nga punë në rast se kërkojnë të drejtat e tyre.

Deklarata e punonjësve:

'Shqetësimi ynë është rritja e pagave dhe përmirësimi i kushteve të punës, pasi në kasat e ujit ka korente dhe gjëra të rrezikshme që rrezikojnë jetën e punonjësit.

Ne jemi për rritjen e pagave, pasi rrogat janë nga 350 mijë lekë, janë shumë të ulëta.

Kemi kërkuar gjthmonë takim me drejtoritn, por ky i fundit nuk pranon të na takojë, na dërgon administratorin e Vlorës'.