Miratohet statusi Investitor Strategjik për projektin e Ishullit të Sazanit
Komiteti i Investimeve Strategjike ka vendosur të miratojë Statusin Investitor Strategjik për projektin e investimit “Resorti Turistik - Ishulli i Sazanit” si një projekt i integruar turistik dhe i një rëndësie strategjike për vendin, të kushtëzuar me realizimin e detyrave, planit të veprimit të parashikuar në këtë vendim, si dhe me finalizimin e marrëveshjes së bashkëpunimit midis palëve, të vlefshme miratuar me ligj të veçantë në Kuvend sipas parashikimeve ligjore të zbatueshme.
Statusi “Investim/Investitor strategjik procedurë e veçantë” i jepet projektit të investimit “Resorti Turistik - Ishulli i Sazanit” për një periudhë 10 vjeçare.
Ky afat do t'i shërbejë projektit strategjik për përfitimin e procedurave me prioritet dhe brenda afateve të përshpejtuara, në përputhje me legjislacionin për investimet strategjike, si dhe plotësimin e detyrave dhe planit të veprimit të parashikuar në këtë vendim.
Ndërkohë, marrëveshja që do të nënshkruhet, pas negocimit dhe finalizimit sipas parashikimeve ligjore, në fazat e mëtejshme të vlerësimit të projektit, do të parashikojë afatin e nevojshëm të realizimit të plotë të investimit, angazhimet dhe detyrimet e ndërsjellta mes palëve dhe masat e detajuara mbështetëse, që përfiton ky projekt, sipas legjislacionit në fuqi.
Forma e pjesëmarrjes së shtetit në këtë investim do të realizohet nëpëmjet krijimit të një entiteti juridik të përbashkët të përbërë nga Korporata e Investimeve Shqiptare (AIC), Albanian Seaports Development Company sh.a (ASDC), në cilësinë e palës shtet, dhe subjektit investues Atlantic Incubation Partners LLC, shoqëri e të drejtës amerikane.
Projekti i propozuar nga subjekti aplikues “Atlantic Incubation Partners” LLC shoqëri e të drejtës amerikane me Nr. identifikimi (EIN) 92-3329707 do t’i nënshtrohet një procesi shqyrtimi dhe analizimi për të vlerësuar kushtet dhe kriteret 3 e mundësisë së bashkëpjesëmarrjes së shtetit shqiptar në këtë investim strategjik sipas parashikimeve të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 1030, datë 16.12.2015 “Për organizimin dhe formën e pjesëmarrjes së shtetit në investimet strategjike dhe rregullat për krijimin, funksionimin e administrimin e Fondit të Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike (FPPMIS)”.
Subjekti investues do të realizojë një projekt të integruar me struktura akomodueseelitare, rezidenca me standard të lartë dhe shërbime në funksion të tyre brenda një sipërfaqeje prej 45 ha. Projekti, i cili do të zhvillohet në ishullin e Sazanit, është i ndarë në 3 faza zhvillimi sipas Aneksit 2.
Duke qenë se zona është përdorur nga Ministria e Mbrojtjes si rajon stërvitje dhe qitje detare dhe në zonë rezulton të ketë risk të lartë piroteknik, nevojitet krijimi i kushteve të nevojshme procedurale dhe fizike për realizimin e këtij investimi, të cilat konsistojnë në marrjen e çdo lloj maseje të nevojshme me qëllim përshtatjen e sipërfaqes së zbatimit të tij dhe sjelljen e saj në kushte të përshtatshme infrastrukturore dhe mjedisore për zhvillimin e projektit të propozuar.
Duke qenë se brenda sipërfaqes së synuar për investim ndodhen tunele nëntokësore dhe bunkerë, nevojitet realizimi i inventarizimit të këtyre aseteve nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes.
Duke qenë se, forma e propozuar e projektit të investimit kërkon pjesëmarrjenshtetërore në këtë investim strategjik, sipas parashikimeve të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 1030, datë 16.12.2015 “Për organizimin dhe formën e pjesëmarrjes së shtetit në investimet strategjike dhe rregullat për krijimin, funksionimin e administrimin e Fondit të Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike (FPPMIS)”, ky projekt investimi miratohet me kushtin e zhvillimit dhe finalizimit të disa proceseve vlerësuese nga institucionet e përfshira, sipas planit të veprimit që miraton ky vendim, dhe disa proceseve vendimmarrje në Komitetin e Investimeve Strategjike dhe në organe të tjera vendimmarrëse në vijim, nëse palët bien dakord dhe finalizojnë një marrëveshje të vlefshme bashkëpunimi.