SYRI TV/ Levan - Posta s`ka para, të moshuarit pa pension: Presim me orë në radhë
Mungesa e parave nga shteti, po zvarrit dhënien e pensionit për mijëra pensionistët në fshatrat e Levanit në bashkinë Fier. Prej pesë ditësh, të moshuarit presin me orë të tëra në zyrat e postës, dhe kthehen duar bosh në shtëpi pasi nuk marrin dot pensionin për shkak të mungesës së parave.
Syri tv
Dhjetëra pensionistë të Levanit dhe jo vetëm, prej ditësh presin me shpresën se do të tërheqin paratë e pensionit në zyrat e postës. Por që prej të hënës, kur administrata u rikthye në punë, pensionistët përcillen duar bosh në banesat e tyre, pasi në postë nuk ka fond për shpërndarjen e pensionit.
Punonjësit e postës nuk pranojnë të flasin për mediat, ndërsa jashtë kamerave tregojnë se situata e vështirë është krijuar me shpërndarjen e bonusit që qeveria dha për fundvit për të moshuarit. Kjo zyrë postare shpërndan pensionet për të gjithë pensionistët e afro gjashtë fshatrave të zonës së Levanit.