Basha mesazh numëruesve dhe komisionerëve: Numëroni çdo votë, deri në fund

Kreu i PD-së, Lulzim Basha u ka bërë një mesazh të gjithë numëruesve dhe komisionerëve të cilët kanë orë të gjata që po merren me numërimin e votave.

“Të dashur komisionerë, numërues dhe vëzhgues të PD: Numërimi i votave vazhdon në kushte të vështira për ju, të orëve të gjata, të vapës dhe nën presionin e kundërshtarëve.

Secili prej jush ka mirënjohjen më të thellë dhe mbështetjen totale të demokratëve dhe timen për të garantuar numërimin deri në fund të çdo vote.

Mos lejoni asnjë deformim, asnjë tjetërsim të vullnetit. Çdo votë vlen, çdo votë duhet numëruar, çdo votë duhet llogaritur deri në fund.

Për demokratët dhe të gjithë qytetarët e ndershëm të këtij vendi, ju jeni shembulli më i lartë i kurajos politike dhe qytetare. Lulzim Basha”, thuhet në mesazhin e siguruar nga SYRI.net që kreu i PD-së i ka nisur numëruesve dhe komisionerëve.