PLUG/ Studio ligjore e Arben Rakipit mbron Erion Veliajn, a do hetojë Altin Dumani konfliktin e interesit?

Ndoqët një parashtrim të shkurtër të parashikimeve ligjore për ndalimin e konfliktit të interest, që mund të bënte pis jo vetëm figurën e drejtuesit të këtij institucioni, por për shmangien edhe të lidhjeve okulte që mund të dëmtonin të gjithë sistemin e drejtësisë, pasi nga aty varet integriteti i magjistratëve të rinj që japin drejtësi në këtë vend. Por a është zbatuar ligji nga Arben Rakipi? Në vijim do t’ju sjellim elemente, se si ligji jo vetëm që nuk është zbatuar, por shton dyshimet se interesat politike kanë penetruar në sistemin e drejtësisë, madje, duke krijuar një rreth të mbyllur në kapjen e kësaj drejtësie.

Kryebashkiaku i Tiranë Erion Veliaj, përballjen e tij me drejtësinë për aferat qindra miliona euro po e bën nëpërmjet studios ligjore “Rakipi & Partners”. Studioja dhe personazhet, siç do ua faktojmë më pas, nuk janë veç përfaqësues ligjor të Erion Veliajt, por dikur me prova rezultojnë pagamarrës të OJF-ve që drejtoheshin nga Veliaj e Ajola Xoxa, e të financuara nga Xhorxh Soros.

Le të mbetemi tek studioja ligjore e Arben Rakipit, që e vë atë në kushtet të hapura të konfliktit të interest, por edhe fakton se kush po e bën sot drejtësinë e re dhe për llogari të kujt.

Nga të dhënat e mbledhura në Qëndrën Kombëtare e Biznesit rezulton se Arben Rakipi ka qënë i regjstruar si Person Fizik me NIPT K71813004C, nga vitit 2006 deri në shtator të vitit 2020 kur është çregjistruar.

Në 25 qershor të vitit 2020 Arben Rakipi, Jon Rakipi, Ermir Beta dhe Romina Zano (Lleshi) themelojnë kompaninë Zyra Ligjore Rakipi & Partners. Jon Rakipi (i biri i Arben Rakipit) përfaqësohet me prokurë nga e ëma Vilma Rakipi pasi është shtetas holandez, rezident në Holandë dhe punon atje me kohë të plotë.

Që nga themelimi Arben Rakipi do të zotërojë 55% të aksioneve, Jon Rakipi do të zotërojë 10% të Aksioneve, Ermir Beta do të zotërojë 20% të aksioneve dhe Romina Zano 15% të aksioneve.

Zyra Ligjore Rakipi & Partners, regjistrohet në QKB në korrik të 2020, kur zyrtarisht nis edhe aktivitetin.

Pra siç rezulton nga këto dokumente, Arben Rakipi edhe pse ishte i komanduar në funksionin e Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës, ka vazhduar të ushtroj aktivitetin privat të avokatit dhe 3 ditë përpara se të hapej gara për këtë funksion themelon një tjetër shoqëri, e cila është regjistruar në QKB në korrik 2020, periudhë kjo kur Arben Rakipi do të aplikonte për tu zgjedhur si Drejtues i Shkollës së Magjistraturës. Pra sipas ligjit për Shkollën e Magjistraturës dhe rregullores së saj, shkelje e hapur dhe vendosje në kushtet e konfliktit të interesit. Tashmë i mbetet organeve ligjzbatuese të kryejnë verifikimin e plotë të dosjes së aplikimit, e nëse ky aktivitet ishte deklaruar në të.

Fakti mbetet që Arben Rakipi gjatë ushtrimit të detyrës së drejtorit të Shkollës së Magjistraturës, e dinte fare mirë që ligji ja ndalonte zotërimin e Aksioneve në Shoqëri tregtare dhe me vetëdije të plotë jo vetëm e ushtroi privatisht profesionin e avokatit, por dhe themeloi një shoqëri të re tregtare.

Nuk mbaron këtu! Vetëm 20 ditë pas themelimit të kompanisë, më 28 korrik të 2020, Arben Rakipi zgjidhet Drejtor i Shkollës së Magjistraturës për një mandat 4 vjeçar me të drejtë riemërimi. Siç e shpjeguam më sipër, ligji dhe rregullorja e përcakton qartë se Drejtusi i Shkollës së Magjistraturës dhe familjaret, nuk mund të ushtrojnë aktivitet privat.

Këtu fillojnë dhe shkeljet më të rënda ligjore të shtetasit Arben Rakipi.

Pasi kalojnë më shumë se dy muaj nga emërimi, e të qenurit në post në shkelje të ligjit, Arben Rakipi vendos të dhurojë aksionet bashkëshortes së tij Vilma Rakipi.

Sipas dokumentacionit të depozituar në QKB, në datën 12.10.2020 pranë zyrave të studios ligjore Rakipi & Partners u paraqitën Arben Rakipi (dhurues) dhe Vilma Rakipi (pranues dhurimi).

Në Kontratën e Kalimit të Kuotave Nëpërmjet Dhurimit përcaktohet:

KONTRATA MES ARBEN RAKIPIT DHE BASHKËSHORTES

B. Kapitali themeltar i shoqërisë është 100 lekë, i ndarë midis Ortakëve të Shoqërisë në këtë mënyrë:

Z.Arben Rakipi është zotërues i 55 % të kuotave të kapitalit themeltar të shoqërisë

Z.Jon Rakipi është zotërues i 10% të kuotave të kapitalit themeltar të shoqërisë

Z.Ermir Beta është zotërues i 20% të kuotave të kapitalit themeltar të shoqërisë

Znj.Romina Zano është zotërues i 15% të kuotave të kapitalit themeltar të shoqërisë

D. Në përputhje më Nenet e Statutit të Shoqërisë dhe Ligjit “Për Tregëtarët dhe Shoqëritë Tregtare”, Nr.9901, datë 14.04.2008 me ndryshimet përkatëse, Asambleja e Ortakëve të shoqërisë ka marrë vendimin përkatës, për transferimin tek Pranuesi I Dhurimit të kuotave si më sipër.

E. Në bazë të Statutit të Shoqërisë kuotat mund të transferohen lirisht mes ortakëve/apo të tretëve dhe asnjëri prej ortakëve të shoqërisë nuk ka kundërshtim në lidhje me këtë.

Neni 2

Objekt i Kontratës

2.1 Në datën e nënshkrimit të kësaj kontrate, Dhuruesi I transferon Pranuesit të Dhurimit, dhe pranuesi I dhurmit pranon të transferohen tek ai dhe 55% të kuotave të shoqërisë të lira nga çdo barrë.

2.2 Kuota në Dhurim do të transferohet juridikisht nga pronësia e Dhuruesit në pronësi të Pranuesit të Dhurimit dhe pala pranuese do të bëhet zotëruesi ligjor I kuotës në momentin e menjëhershëm të nënshkrimit të kësaj Kontrate Dhurimi, pas regjistrimit të kësaj kontrate në QKB. 

Neni 5

6.5 Anjëra palë nuk nuk mund të kalojë dhe /ose të transferojë të drejtat dhe/ ose detyrimet sipas kësaj Kontrate,në tërësi ose në  veçanti, pa miratimin paraprak me shkrim të palës tjetër.

Pra në plan të parë, kjo duket hapur si një manovër shkresore për të shmangur konfliktin e interesit, ku me  këtë kontratë, Arben Rakipi kaloi aksionet e zotëruara nga ai te bashkëshortja. Por një jurist me eksperiencën e Arben Rakipit, drejtues i Shkollës që përgatit brezat e ardhshëm të drejtësisë, me këtë veprim është ndryshuar veç emri i aksionerit, pasi sipas regjimit bashkëshortor, ai mbetet  përfitues me 50% i cdo pasurie të krijuar gjatë martesës, e mbi të gjitha sipas kësaj kontrate Vilma Rakipi nuk do të mundej t’i tjetërsonte këto aksione pa miratimin paraprak të Arben Rakipit.

Pikërisht për këtë shkak ligji 115/2016 dhe Rregullorja e Institucionit, në nenin 23 parashikon që bashkë me Drejtuesin e Shkollës së Magjistraturës, edhe familjarët e tij të afërt ndalohen të kenë aktivitet fitimprurës.

Ajo çka e bën dhe më të rëndë shkeljen ligjore,janë përcaktimet në STATUTIN e kompanisë, që përcaktojnë qartë mënyrën se si bëhet kalimi i kuotave të aksioneve.

TË DREJTAT DHE DETYRAT E ORTAKËVE

Neni 10

Transferimi i Kuotave

10.1 Kuotat e kapitalit të regjistruar mund të transformohen, tërësisht ose pjesërisht, tek të tretët, vetëm me kontratë me shkrim dhe me miratimin e Asamblesë së Ortakëve me shumicë të cilësuar.

Neni 11

11.1 Transferimi i mundshëm i kuotave bëhet me akt noterial, përndryshe është I PAVLEFSHËM. Po me një akt të tillë mërr formën edhe miratimi I ortakëve të Shoqërisë për transferimin e kuotave.

Sipas nenit 11 të stautit të shkruar dhe nënshkruar nga Arben Rakipi, i cili jo vetëm ka mbajtur detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm por ka mbajtur konfrerenca e ka trajnuar breza të tërë në Magjistraturë, përcaktohet se kontrata për transferimin e kuotave te bashkëshortja e tij duhet të ishte e noterizuar sëbashku me vendimin e Asamblesë së Ortakëvë.

Dokumentacioni i dorëzuar pranë QKB, fakton se kontrata dhe vendimi i Asamblesë së Ortakëve nuk janë të noterizuara dhe QKB NUK duhet të bëntë kalimin e kuotave pasi KONTRATA ËSHTË NUL.

Sipas përcaktimit në STATUT dhe Ligjit “Për Shoqëritë Tregtare”, Arben Rakipi është de facto dhe de jure aksioner I Shoqërisë dhe kontrata nuk ka asnjë vlerë juridike.

Këto janë shkelje të rënda ligjore të kryera nga Juristi Rakipi I përzgjedhur tashmë dhe për një mandat të dytë në Drejtimin e Shkollës së Magjistraturës.

Lëvizjet brenda kompanisë së themeluar nga Arben Rakipi dhe familjarët e tij sa vjen e bëhen edhe më të dyshimta. Por nga ana tjetër faktojnë edhe atë çka parashtruam më sipër.

Ndërsa Arben Rakipi i kaloi aksionet bashkëshortes së tij, pa një kontratë noteriale dhe QKB e pranoi, në janar të vitit 2024, do të kryhej një tjetër lëvizje aksionesh, këtë herë mes shtetases Vilma Rakipi dhe djalit Jon Rakipi.

Ndryshe nga kontrata e Arben Rakipit me bashkëshorten, këtë herë kalimi i aksioneve bëhet me kontratë noteriale, siç e parashikon edhe statuti i kompanisë, e që fakton që kalimi i aksioneve nga Arbeni te Bashkëshortja janë veç ndryshim fiktiv emri, e jo në formë ligjore. Kontrata e datës 11.01.2024, përcakton kalimin e  aksioneve me anë të dhurimit nga shtetasja Vilma Rakipi te i biri Jon Rakipi, i cili tashmë do të zotërojë 65% të aksioneve.

Ky veprim ngre dyshime për fiktivitet pasi shtetasi Hollandez Jon Rakipi, i biri i Arben Rakipit jeton dhe punon me kohë të plotë në një studio ligjore në Hollandë dhe si aksioner mazhoritar e ka të pamundur të ndjek ecurinë e Shoqërisë por mbi të gjitha ky veprim nuk zgjidh shkeljen ligjore dhe konfliktin e interest të Arben Rakipit me funksionin e Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës, pasi edhe fëmija është në listën e familjarëve të afërt që nuk duhet të kenë aktivitet fitimprurës, për shkak të konfliktit të interesit.

Por jo vetëm qëndrimi në detyrë në kushtet e konfliktit të interesit dhe në shkelje të hapur të ligjit, por Arben Rakipi e ka kthyer shkollën e Magjistraturës në institucion për punësimin e familjarëve të tij. Sipas verifikimeve dhe denoncimeve në media, Arben Rakipi ka punësuar në shkollën e magjistraturës bashkëshorten dhe motrën e tij.

Gruaja e Arben Rakipit, është punësuar në Shkollën e Magjistraturës, si Profesore eksperte në trajnimin e studentëve të magjistraturës për lëndët e krimit ekonomiko financiar, PPP, Tendera, TAtime, Dogana etj.

Ky është një nga rastet e pashembullt të konfliktit të hapur të interesit, ku burri ka dy herë vartëse gruan e tij, njëherë si pedagoge të shkollës së Magjistraturës që ai vetë e drejton, dhe herën e dytë për shkak se Arben Rakipi si drejtues i Shkollës së Magjistraturës, është dhe shef i trajnimit të ekspertëve.

Gruaja e Arben Rakipit, Vilma Rakipi, për të fshehur konfliktin e interesit nga vëmendja publike, është punësuar pranë shkollës së Magjistraturës me emrin Vilma Sharofi, pra me mbiemrin e vajzërisë e jo me mbiermin Vilma Rakipi, siç e deklaron në postin e drejtore trajnimit të administratës tatimore.

Ky fakt tregon se kemi të bëjmë me një shkollë familje, që pranon, trajnon dhe pregatit prokurorët dhe gjyqtarët e rinj të vendit, të cilët duhet të hetojnë korrupsionin apo krimin e organizuar në vend. Ky rast ndoshta shpjegon edhe faktin se pse deri më sot, për të gjitha skandalet e shkollës së Magjistraturës, SPAK ka heshur dhe nuk ka guxuar të marrë nën hetim Arben Rakipin. Ndërsa motra e tij, Vera Rakipi është shefe departamenti pranë Shkollës së Magjistraturës, duke e kthyer këtë institucion si çerdhe të punësimit familjar të Arben Rakipit.