‘S`lejohet veprimtaria fitimprurëse’, Rakipit dhe familjarëve s`u lejohet biznesi, por a e respektuan?
Mirëmbrëma! Besoj se hyrja ishte e qartë se këtë emision ja kemi kushtuar Arben Rakipit, Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës, një institucion i mbuluar me skandale të vazhdueshme, që prej emërimit të tij. Arben Rakipi mori këtë detyrë pas disa vitesh angazhim si pagamarrës i Erion Veliajt dhe Ajola Xoxes në OJF-të e tyre të financuara nga Xhorxh Soros, sot ai drejton institucionin që duhet të plotësojë me magjistrat të rinj, drejtësinë, e cila duhet të hetojë dhe gjykojë pikërisht Erion Veliajn dhe Ajola Xoxën. Por jo vetëm kaq studio ligjore e Arben Rakipit rezulton të jetë mbrojtësi ligjor i Erion Veliajt përballë drejtësisë, edhe pse këtë fakt është përpjekur ta fshehë nëpërmjet manovrave shkresore. Për të shmangur këtë trinom shërbimesh, e krijimit të rrethit të mbyllur në drejtësi, ligji është i qartë, por në këtë rast duket se ligji nuk vlen për ‘Maliqin’. E ndjekim...
Arben Rakipi drejton Shkollën e Magjistraturës në shkelje të hapur të ligjit, në konflikt të hapur interesi e madje deri në kushtet e shpërdorimit të detyrës, duke marrë parasysh aktivitetin e tij privat apo të familjarëve të tij.
Shkolla e Magjistraturës funksionon sipas ligjit nr 115 të vitit 2016, i cili në nenin 250 pika 3 parashikon se drejtuesi i Shkollës, nuk mund të mbajë asnjë funksion tjetër publik, angazhim politik apo të ketë veprimtari fitimprurës, me përjashtim të mësimdhënies.
NENI 250 -PIKA 3
Gjatë kohës së qëndrimit në funksion, Drejtori i Shkollës së Magjistraturës gëzon pagën dhe përfitimet e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë. Funksioni i Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës është i papajtueshëm me çdo funksion tjetër publik, anëtarësimin në partitë politike apo pjesëmarrjen në veprimtaritë e tyre, ose kryerjen e çdo veprimtarie tjetër fitimprurëse, me përjashtim të mësimdhënies dhe veprimtarive me natyrë shkencore.
Sipas këtij neni, Arben Rakipit i ndalohet kategorikisht që të zotërojë një kompani private, apo të ketë përfitime nga ndonjë kompani. Madje kjo përforcohet edhe nga “Rregullorja për parandalimin e konfliktit të interesave, si dhe deklarimin e pasurive ne ushtrimin e funksioneve publike në Shkollën e Magjistraturës”, dokument i cili është i publikuar nga faqen zyrtare të Shkollës së Magjistraturës dhe që për ironi mban firmën e Arben Rakipit.
Në nenin 21, posaçërisht për “Kufizimin e interesave private për parandalimin e konfliktit rast për rast të interesit për çështje të veçanta”, pika a, parashikon:
NENI 2, Pika a
Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, nuk mund të kryejë asnjë veprimtari fitimprurëse, me përjashtim të mësimdhënies dhe veprimtarive me natyrë shkencore.
Ndërkaq, në nenin 23 të rregullores së firmosur nga Arben Rakipi parashikohet se të njëjtin detyrim e kanë edhe rrethi i ngushtë familjar i lidhur me drejtuesin e Shkollës së Magjistraturës.
Neni 23
Person i lidhur me funksionarin, për kufizimet e interesave private të këtyre funksionarëve, të përcaktuar në nenin 21 të kësaj rregulloreje janë bashkëshorti/ja, bashkëjetuesi/ja fëmijët në moshë madhore, prindërit e funksionarit e të bashkëshortit/es.
Person i lidhur me funksionarin, për kufizimet e interesave private të funksionarëve të përcaktuar në nenin 22 të kësaj rregulloreje janë bashkëshorti/ja, bashkëjetuesi/ja, fëmijët në moshë madhore, prindërit e funksionarit e të bashkëshortit/es, si dhe çdo person fizik ose juridik, i cili, në lidhje me dhuratën, favorin, premtimin ose trajtimin preferencial, luan rolin e ndërmjetësit a të shkëmbyesit të interesave të lindur nga ky veprim.
Ndalimet dhe kufizimet për funksionarët, të përcaktuara në nenin 21 të kësaj rregulloreje zbatohen edhe për personat e lidhur, të përcaktuar në pikën 1 të këtij neni.
Sipas ligjit nr 115 të vitit 2016 dhe rregullores së Shkollës së Magjistraturës, Drejtuesi i saj gëzon një status të veçantë, i barazvlefshëm me atë të anëtarit të Gjykatës së Lartë, duke i garantuar benefitet por edhe disa detyrime strikte.