SYRI TV/ Një natë me Patrullën e Policisë/ Efektivët që kaluan ndërrimin e viteve në rrugë
Ndërsa qytetarët e Tiranës përgatiteshin për të festuar natën e ndërrimit të viteve, patrulla e komisariatit nr. 2 ishte në gatishmëri për të garantuar sigurinë dhe rendin publik. Syri Televizion shoqëroi patrullën, duke ndarë me publikun emocionet dhe angazhimin e efektivëve të policisë.
Xhesika Dema, pjesë e policisë prej tre muajsh, tha se për të është një privilegj të jetë në shërbim të qytetarëve:
“Jam pjesë e policisë me dëshirën time dhe ndihem e respektuar nga kolegët. Nuk jemi të mërzitur që punojmë natën e ndërrimit të viteve, sepse është detyra jonë të jemi pranë qytetarëve. Familja na ka uruar më të mirën, duke na këshilluar të kemi kujdes.”
Indrit Qershori, efektiv me përvojë prej tre vitesh në polici, shprehu krenarinë për rolin që luan në shërbim të komunitetit:
“Puna në polici është një detyrë dhe një privilegj. Edhe pse familja u mërzit pak që nuk do isha pranë tyre, ata e kuptojnë natyrën e punës time. Qëllimi ynë është të jemi gjithmonë në shërbim të qytetarëve.”
Efektivët theksuan se nata e 31 dhjetorit paraqet sfida të veçanta, veçanërisht për shkak të konsumimit të alkoolit nga disa qytetarë dhe intensitetit të jetës së natës në zona si Blloku. “Turni i tretë është më i vështiri, por mbetemi të fokusuar për t’iu përgjigjur çdo problematike,” tha Dema.
Mes sfidave me të cilat përballen çdo ditë, efektivët theksuan se dhuna në familje është një nga pjesët më të dhimbshme të punës së tyre. Pavarësisht këtyre vështirësive, ata ndihen të motivuar dhe të përkushtuar për të qenë në shërbim të komunitetit, edhe në momente festive.