Bllokohet votimi në Korçë, një person kapet duke fotografuar votën, pastaj arratiset

Një person është shpallur në kërkim policor pasi është kapur duke fotografuar votën.

Burime nga policia bëjnë me dije se është kërkuar ndërhyrja e Policisë në qendrën e votimit nr 3665/1, nga Komisioni i Qendrës së Votimit.

Rreth orës 14.30 është marrë njoftim nga Komisioni i Qendrës së votimit nr.3665/1, e cila ndodhet tek Shkolla 9-vjeçare “Sotir Gurra”, ZAZ 72, se është bllokuar procesi i votimit pasi nga anëtarët e komisionit të qendrës së mësipërme është konstatuar një person, i cili po fotografonte votën e tij, sqaron Policia lokale.

Kjo ka bërë që komisionerët të kërkojnë ndihma e Policisë së Shtetit.

Pas marrjes së vendimit, shërbimet e Policisë kanë hyrë në qendrën e votimit ku nga kryerja e veprimeve të para, rezulton se E.K, 29 vjeç, banues në Korçë, pasi është regjistruar, ka marrë fletën e votimit dhe ka shkuar tek vendi i fshehtë.

Pasi ka kryer veprimet ka bërë fotografimin e fletës së votimit, veprim që është parë nga anëtarët e komisionit. Personi të mësipërm i është bllokuar nga Komisioni, fleta e votimit dhe në këtë moment ky i fundit, menjëherë është larguar nga Qendra e Votimit.

“Nga ana e Policisë, në konsultim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Korçë, u kryhen veprimet e para proceduriale në lidhje me këtë ngjarje dhe po punohet për kapjen e tij. Sqarojmë se procesi i votimit në këtë qendër, ka rifilluar normalisht, pas përfundimit të kryerjes së veprimeve procedurale”, sqarojnë burime zyrtare nga Policia.