Luan Rama denoncon presionin në Shijak nga 'bandat e Rilindjes' dhe Haki Çako

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, ka dalë sërish para medias për të denoncuar "grupet e armatosura, që lëvizin me mjete të blinduara, me targa false dhe me suport politik nga individë të spikatur të Rilindjes, që vazhdojnë të ushtrojnë presion mbi qytetarët" në qarkun e Durrësit.

Rama tha:  "Në disa zona zgjedhore në Qarkun e Durrësit ka një përshkallëzim dhe rritje të ndërhyrjes së grupeve të organizuara kriminale që ushtrojnë presion mbi votuesit, në afërsi apo brenda qendrave të votimit.

Më alarmante është situata në zonën e Shijakut e cila është totalisht jashtë kontrollit të strukturave të Policisë së Shtetit. Atje strukturat e policisë janë inekzistente.

Grupet e armatosura, që lëvizin me mjete të blinduara, me targa false dhe me suport politik nga individë të spikatur të Rilindjes, vazhdojnë të ushtrojnë presion mbi qytetarët.

Ne kemi vënë menjëherë në dijeni të gjitha trupat monitoruese në vend. Kemi vënë në dijeni edhe misionin vëzhgues të OSBE\ODIHR-it, ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë dhe ambasadorë të tjerë të vendeve anëtare të BE-së, për të tërhequr vëmendjen te situata shumë e rëndë që është aktualisht në zonën e Shijakut. Tërheqim vëmendjen, sepse atje mund të përshkallëzohet veprimi i grupeve kriminale dhe pasojat pastaj mund të jenë shumë më të rënda se kaq.

Ndërkaq e njëjta situatë vazhdon të jetë edhe në Qarkun e Lezhës, ku grupe kriminale vazhdojnë të lëvizin lirë nëpër zonat zgjedhore pa pasur asnjë pengesë nga strukturat e Policisë së Shtetit.

Është skandaloze, është gjithashtu alarmante, që strukturat e Policisë së Shtetit nuk kanë asnjë komunikim me ministrin e Brendshëm. Dhe ministri i Brendshëm nuk ka asnjë autoritet për të kërkuar zbatimin e ligjit nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë. Një strukturë që është totalisht jashtë autoritetit dhe jashtë kontrollit të ligjit.

Keni denoncuar për herë të dytë, keni evidentuar dhe keni drejtuar dhe gishtin ndaj elementëve të caktuar. Si e parashikoni pjesën tjetër të ditës?

Po, kam denoncuar dhe vazhdoj të denoncoj. Një drejtor i përgjithshëm i policisë që është i pandehur, që është person nën akuzë për shkak të një vepre penale dhe të shkeljes së ligjit, nuk ka rrugë tjetër vetëm se t’ju shërbejë atyre që e mbajnë në pushtet për të bërë atë që po bën në fakt një pjesë e strukturave të Policisë së Shtetit që është nën urdhrat e grupeve kriminale. Kjo është dokumentuar dhe është demonstruar në Lezhë, është dokumentuar dhe po ndodh në Shijak, është dokumentuar dhe ka ndodhur edhe në zona të tjera të vendit dhe është kjo arsyeja që unë ftoj qytetarët të jenë të vëmendshëm dhe të vendosur, sepse vota e tyre është padyshim më e fortë se sa vota e armëve që kanë grupet krimininale.

Në asnjë vend tjetër normal, në asnjë vend tjetër evropian, në asnjë vend tjetër të BE-së, nuk do të mund të guxonte të rrinte në detyre një drejtor i përgjithshëm i policisë që është nën akuzë dhe që është marrë i pandehur. Kjo ndodh në Shqipëri, sepse frymëzimin këta e gjejnë të thirrja e Kryeministrit që u tha policëve: hiqni uniformat dhe merrni vota për PS-në.