FOTO/ Pako me ushqime për votat, në Shkodër ndalohet kreu i një partie politike

Një tjetër rast blerje vote është evidentuar në Shkodër. Një parti politike në këmbim të votave për ditën e dielë, 25 qershor, kishte vendosur të shpërndante ushqime për një lagje në qytetin e madh të veriut.

Burime nga policia thanë se ditën e sotme rreth orës 15:30 është marrë informacion se në Lagjen "Liria" Shkodër, tek një zyre elektorale, po behej shpërndarje pakosh me ushqime në këmbim të blerjes së votave.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër shkuan ne vendin e cituar.

Nga këqyrja e zyrës elektorale u konstatuan rreth 70 pako në qese plastmasi, me artikuj ushqimor.

Ato po shpërndaheshin nga Kryetari lokal i një subjekti politik, shtetasi P. Rr. 49 vjeç, banues ne Shkodër, si dhe shtetasi S. Gj, 29 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në lagjen "Skënderbeg" Shkodër.

Në polici ata deklaruan se pakot me ushqime po i shpërndanin për shtresat në nevojë, me rastin e festës së Bajramit.

Materjalet në ngarkim të këtyre shtetasve do t'i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale të "Korrupsioni aktiv në zgjedhje".