LSI akuzoi 'zagarët e Rilindjes' për tritolin, reagon PS: Ia vutë vetes për fushatë

Partia Socialiste në Durrës ka reaguar menjëherë pas akuzës së kreut të LSI-së Lefter Koka ndaj saj se 'zagarët e Rilindjes" të nxitur nga Rama janë autorët e tritolit që iu vendos zyrës elektorale të LSI-së në Durrës.

"Nxitimi për të akuzuar, më së shumti, ngre dyshimet për një ngjarje të inskenuar nga vet LSI me synim përdorjen e saj për qëllimet elektorale të ditës", thuhet në kundërpërgjigjen e PS-së.

Ja deklarata e plotë e  PS-së:

"Në radhë të parë dënojmë ngjarjen e sotme dhe distancohemi nga ky akt i turpshëm vandal. Kërkojmë nga organet ligjzbatuese hetimin dhe zbardhjen sa më të shpejtë të ngjarjes, e cila nuk i sherben aspak zhvillimit normal të procesit zgjedhor.

Shprehim keqardhje që LSI ende pa u kryer asnjë hetim nga organet ligjzbatuese nxiton të akuzojë. Nxitimi për të akuzuar, më së shumti, ngre dyshimet për një ngjarje të inskenuar nga vet LSI me synim përdorjen e saj për qellimet elektorale të ditës.

Asnjë tentativë për tensionimin e situates nuk do mund të dalë me sukses pasi fushata në tërësi ka qenë e qetë dhe pa probleme.

Qytetarët e Durresit e refuzojne dhunen dhe tensionin pasi duan të shkojnë të qetë drejt kutive të votimit për të shprehur me votë vullnetin e tyre të lirë.