Dibër, konfrontohen dy grupe militantësh, prangoset polici i Portit të Durrësit

Dy grupe militantësh janë konfrontuar verbalisht dhe fizikisht me njeri - tjetrin në rrugën e fshatit Ushtelenxë në Peshkopi; njera palë i kishte zënë rrugën palës tjetër. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar forca të shumta policie si dhe të FNSH-së, që kanë marrë situatën në kontroll. Forcat kanë kontrolluar dy makina që i përkisnin personave të përfshirë në konflikt dhe aty kanë zbuluar një armë. Armën e konsideroi të vetën, Demir Deda, 26 vjeçari i lindur në Dibër, por që deklaroi se e mbante me leje pasi ishte punonjës Policie në Portin e Durrësit.

Deda është arrestuar menjëherë në vendin e ngjarjes për "shpërdorim të autoritetit policor".

Njoftimi i plote i Policise se Dibres

Policia e Dibrës dhe Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat kanë arrestuar në flagrancë për “Shpërdorim të autoritetit policor”, shtetasin Demir Deda, 26 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Durrës, punonjës në Stacionin e Policisë Port - Durrës në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës).

Arrestimi i tij u bë pasi më datë 21.06.2017, rreth orës 1.00, Policia ka marrë njoftim se në vendin e quajtur Ushtelenxë, Peshkopi, në rrugën e fshatit, po ndodhte një konfrontim midis simpatizantëve të dy subjekteve politike.

Disa banorë të fshatit Ushtelenxë, simpatizantë të një subjekti politik kishin bllokuar qarkullimin e dy mjeteve në rrugë të një subjektit tjetër politik duke u konfrontuar verbalisht dhe fizikisht me njëri-tjetrin.

Menjëherë, forca të shumta policie të mbështetura nga FNSH kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë bërë të mundur parandalimin e përshkallëzimit të situatës, normalizimin e saj dhe kryerjen e veprimeve proceduriale.

Nga efektivët u bë kontrolli fizik i dy automjeteve dhe disa personave të përfshirë në konflikt dhe në automjetin  ”Range Rover” që drejtohej nga Demir Deda u gjet dhe u sekuestrua një armë zjarri pistoletë, të cilën ai deklaroi se e mbante me leje për shkak të detyrës si punonjës policie.

Përveç këtij automjeti, në shoqërinë e tij ka qenë dhe një automjet tjetër tip ”Land Rover”, me mbishkrime e logo të një subjekti politik.

Gjithashtu, u kryen veprimet proceduriale dhe u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër ndaj shtetasve:

D.R, 36 vjeç, banues në Peshkopi.

M.Z, 27 vjeç, banues në fshatin Ushtelenxë

K.S, 23 vjeç, banues në fshatin Ushtelenxë. 

Materialet në ngarkim të tyre u referuan si të dyshuar për kryerjen e veprave penale ”Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, ”Prishja e qetësisë publike” dhe ”Kanosja”, parashikuar nga nenet 293, 274, 84 e 25 të Kodit Penal.

Të gjitha veprimet proceduriale janë kryer nën drejtimin e Drejtuesit të Prokurorisë Dibër.