Rama transformon Fatos Nanon. Nga `karrocier i dehur`, e gradon `kapiten`

Edi Rama ka joshur mbrëmë socialistët tradicionalë që janë ndier të tradhtuar nga “Rilindja” këto katër vite, duke glorifikuar “Robert çimçakizin”, siç e ka etiketuar vetë, ose ish-kryetarin e tyre themelues, Fatos Nanon. Kryeministri mbrëmë në emisionin “Tonight” të Ilva Tare zbuloi për herë të parë, se ai bisedon dhe takohet shpesh me Fatos Nanon dhe se bisedat me të janë shumë interesante. Në mënyrë të tërthortë ai ka kërkuar njëkohësisht ndjesë për akuzat e rënda që i ka bërë atij, në kohën kur ka drejtuar qeverinë socialiste duke thënë se, “sa më shumë qëndron kryeministër, aq më shumë e kupton Fatosin”. Si për t'i vënë kapakun, ai e ka transformuar “karrocierin e dehur” Nano, në “një kapiten që preferon të rrijë në breg”.

“Me Fatos Nanon ne bisedojmë prej kohësh. Sa më shumë unë qëndroj në këtë detyrë aq më shumë e kuptoj Fatos Nanon. Nuk po bëj autokritikë, por po them se kur nuk je kryeministër, shumë gjëra të duket sikur i kupton dhe nuk i kupton. Bisedat me Fatosin janë shumë interesante. Është si puna e kapitenit të anijes, që preferon të rrijë në breg dhe të shikojë të tjerët që merren me anijen. Për mua është një bisedë me shumë vlera. Ai ka qenë timonier për një kohë shumë të gjatë”, tha mbrëmë Edi Rama.