Parashikimi i Bashës: Ja sa deputetë do të marrë PD në 25 qershor

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shprehet i vendosur për të realizuar planin e tij ekonomik për të përmirësuar situatën në vend dhe për të rritur punësimin. Në emisionin “Studio e Hapur” me gazetaren Eni Vasili, Basha shprehu bindjen se në zgjedhjet e 25 qershorit, PD do të marrë 72 mandate.

I pyetur nëse me targetin e vendosur për të marrë 72 mandate deputeti, edhe Basha kërkon të marrë “timonin e qeverisjes” si Rama, ai e mohon këtë gjë. Kryedemokrati tha se nuk ka fiksim pushtetin, por kërkon të rregullojë motorin e ekonomisë, në mënyrë që shqiptarët të kenë më shumë mundësi brenda vendit, dhe të mos detyrohen të emigrojnë.

Cili është targeti juaj?

Ne do të jemi mbi 72 deputetë në Kuvendin e Shqipërisë.

Edhe ju timonin kërkoni, ashtu si Rama?

Jo, unë kërkoj të rregulloj motorin që është ekonomia, nuk me intereson timoni. Nuk më ka interesuar kurrë. Nuk e bëj për egon time, por për qytetarët.

Ai kërkon 71 mandate, ju 72, kjo tregon se e doni timonin si Rama…

Mua, Zoti dhe fati më kanë dhënë mundësi që fare i ri të përmbushëm personalisht. Të arrij dhe të arrihem profesionalisht, edhe si student, edhe si i ri. Edhe si njeri më ka falur jetën dhe familjen që dua. Nuk e kam për ego personale këtë. E vetmja ego që kam, është që ato që shoh në Europë dhe e di se mund të funksionojnë edhe në vendin tonë, ta bëjmë të funksionojnë këtu. Për këtë na duhen dy gjëra.

Na duhet të heqim pengesat duke vendosur interesat e qytetarëve para atyre të politikanëve; dhe të bëjmë zgjedhjet e duhura. Ky është plani im ekonomik, nuk kam patur e nuk kam obsesion me pushtetin. Kam planin, ekipin dhe vullnetin për të rregulluar motorin, që është ekonomia, dhe jo timonin.