Edhe adoleshenten shqiptare me 6 gjuhë të huaja, Gjermania po e dëbon

Gjermania vazhdon t’i zbatojë ligjet me përpikëri dhe nuk bën asnjë përjashtim. 17-vjeçarja shqiptare, Edvina, e cila i di gjashtë gjuhë pritet të dëbohet menjëherë pasi të diplomojë.

Sic shkruan “ruhrnachrichten”, Edvina, shkurt Ina, është e talentuar në muzikë dhe në linguistikë. “Ajo është një adoleshente e jashtëzakonshme, falënderoj Zotin”, tha at Michael Mertins. Por, ajo deri më 31 korrik duhet të lë Gjermaninë dhe të kthehet në Shqipëri, përcjell albinfo.ch.

Ina në vitin 2015 erdhi në Dortmund së bashku me familjen e saj, jo sikur vala e refugjatëve, por si një udhëtare ‘normale’. Ata shkuan me traget në Itali, e pastaj me autobus në Gjermani.

Që nga vjeshta ajo është në shkollën “Droste-Hulshoff”. Ajo kishte mësuar shpejt gjuhën dhe kishte arritur suksese, por kjo nuk është befasi, pasi ajo është shumë e talentuar.

Sot ajo flet gjashtë gjuhë, duke përfshirë atë gjermane, shqipen si gjuhë amtare dhe anglisht, frëngjisht, turqisht dhe spanjisht. Dy gjuhët e fundit i mësoi duke shikuar televizor, sidomos seriale turke e spanjolle.

Inës i pëlqen të këndojë dhe të aktrojë. Madje, ka pasur një rol në shfaqjen e shkollës që ishte mjaft zbavitëse.

Ajo për vetëm disa javë, ishte ndër nxënëset më të mira të shkollës, duke u kualifikuar për shkollën e lartë. Azili për familjen e saj ishte refuzuar më 12 prill. Ajo ka thënë se dëshiron të studiojë për drejtësi, por fillimisht dëshiron të diplomojë. Për të po mundohet të gjendet një zgjidhje, duke hyrë në punë, si një zgjidhje emergjente. Familja gjithashtu është e integruar, derisa tani po presin nëse do të lejohen të qëndrojnë.