Juncker: Motori franko-gjerman nuk mjafton më

Presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker ka deklaruar se Europa ka nevojë për më shumë përpjekje sesa ato të vendeve elitë për të dalë nga situata e rënduar nga kriza ekonomike dhe dalja e Britanisë së Madhe nga BE-ja.

“Europa ka nevojë për bashkëpunimin krah për krah mes Gjermanisë dhe Francës, pa të cilin nuk funksionon asgjë. Por nuk mjafton më që Gjermania dhe Franca të vazhdojnë të vetme. Jo të gjithë bashkohen me to në mënyrë spontane si në të kaluarën, kur ishim më pak anëtarë”, ka thënë Juncker. 

Këtë deklaratë Juncker e ka bërë në një intervistë për “Sueddeutsche Zeitung”. Duke qëndruar në këtë kontekst, shefi i Komisionit është shprehur: “Jam më pak sentimental se të tjerët”. 

Një tjetër faktor që shkakton shqetësim tek Bashkimi Europian është qasja e Shteteve të Bashkuara nën drejtimin e presidentit Donald Trump. 

Tërheqja e tij nga marrëveshja për klimën dhe thirrjet e vazhdueshme për më shumë kontribut financiar nga vendet anëtare të NATO-s tregojnë në një ndryshim të politikave të Uashingtonit kundrejt Brukselit, gjë që ka shqetësuar jo pak Unionin.