Zjarri në Londër, protestuesit mësyjnë bashkinë

Protestuesit që kërkonin ndihmë, për ata që u prekën nga zjarri në kullën “Grenfell”, hynë me forcë në Bashkinë e Kensingtonit dhe Chelseat, ku paraqitën një listë me kërkesa. Rreth 50 apo 60 njerëz u shkëputën nga turma që protestonte jashtë dhe hynë në ndërtesë.

Mediet britanike shkruajnë se një përshkallëzim i tillë i situatës ishte i pritshëm, pasi prej orësh viheshin re skena zemërimi mes njerëzve të shumtë, që iu bashkuan protestës në ndihmë të të pastrehëve.

Protestuesit thanë se të pastrehët si pasojë e zjarrit kanë nevojë urgjente për ndihmë dhe nuk ka asnjë arsye pse të flenë në rrugë.

Zyrtarë e Bashkisë nuk dolën të flasin me protestuesit, diçka që kontribuoi në acarimin e situatës, por nxorën një deklaratë, me të cilën premtonin të strehonin sa më shumë njerëz që kishin mundësi.

Por Bashkia nuk publikoi numrin e të pastrehëve, një nga kërkesat e protestuesve. Këta të fundit thanë se duan angazhim nga autoritetet lokale, jo vetëm për ata në nevojë, por edhe për ndërtesat e tjera në zonë, që të mos pësojnë të njëjtin fat.

Zjarri në kullën “Grenfell” u kushtoi jetën 30 personave, ndërsa rreth 40 të tjerë janë shpallur të humbur. Policia tha se nuk ka të dhëna që të sugjerojnë zjarrvënie me dashje, por po kryhen hetimet për t’u siguruar për gjendjen teknike të kullës, apo për ndonjë të metë në të.

Qeveria britania premtoi 5 milionë stërlina ndihmë për të pastrehët, që vazhdojnë të jetojnë në qendra emergjence, ndërsa reagimi i autoriteve lokale duket tej mase i ngadaltë për problemet e tyre.