Valverde nuk ka dyshime, për trajnerin e Barcelonës ky është lojtari më i mirë në botë

Trajneri i ri i Barcelonës, Ernesto Valverde, ka thënë se Lionel Messi është më i miri në botë dhe çdo ditë e më shumë po përmirësohet.

Valverde mendon se ende nuk ka ardhur më e mira nga Messi, i cili mbush 30 vjet më 24 qershor, që ka fituar mbi 30 tituj në karrierën e deritanishme.

Trajneri i ri i Barcelonës, i cili zëvendësoi Luis Enriquen, nuk ka dyshime se Leo është më i miri në botë dhe mezi pret të punojë me të.

“Çdo ditë ai ju befason, pa dyshim se ai është më i miri në botë dhe jam i emocionuar që do të punojë me të”, tha Valverde për “Barça TV”.

“Një ditë ai bën gjëra të mrekullueshme, të nesërmen ju mund të mendoni se nuk mund ta bëjë më një gjë të tillë, por sërish e bën dhe vazhdon të përmirësohet”, shtoi ai.

“Ai vetëm sa bëhet më i mirë dhe besomëni, ende nuk ka ardhur më e mira nga Messi”, theksoi mes tjerash trajneri i ri i Barcelonës.