Letër Andrea Stefanit

I miri dhe i drejti Ndreko.

Ike i ri dhe më erdhi shumë keq për ty e familjen tënde. Kam një jetë që të njoh ndaj të thërras me emër të shkurtuar. Ende vlerësoj koherencën tënde dhe pandryeshushmërinë e bindjeve. Ke qenë i ngurtë,pranoje! Nuk ke marrë kthesa se ashtu ishe gatuar.

Por nga vdekja jote e këtej ka shumë ngjarje, po t'i tregoj açik se nuk ka për të të ndodhur ndonjë infarkt tani.

Ilir Meta u bë president. Mos qesh, nuk gënjej. Mos u habit se ndodhi. Shaj sa të duash, u votua ai. Po, po, me votat e Ramës. Jo, PD nuk i dha asnjë votë. Nuk gënjej se ata nuk u dukën fare në parlament atë ditë. Si u bë president shkaktari i 21 janarit?! Mos pyet mua, e bëri Rama. Nuk pyeti as për katër të vrarët as për bllokun, as për vjedhjet. Drejt e në krye të vendit e çoi. President me gishta obezë si të një kambisti.

Hahaha, komike e tragjike. Por ka akoma. Ministrinë e Brendshme tani e ka Lul Basha. Qesh, ti qesh se e pandeh si një nga humoret e mija. Është e vërtetë, mor burrë. Ia dha Rama me doçkën e vet.

Bile dhe Ministrinë e Financave, të Drejtësisë, të Shëndetësisë, të Arsimit, OSSHEE-në, Drejtorinë e Burgjeve... Çfarë mbajti për vete? Po ja, mbajti Taulantin, Ruçin, Majkon...

Vërtet gomerë janë, por i duhen. Nuk beson? Pyet Muçin. Hahaha, po qesh. E di, mirë thua.

Po të ishte lajm i saktë Muçi do ia kishte hequr vetes. Nuk ka njerëz aq të drejtë sa ty. Sa pak kohe ka që u largove dhe shiko si u përmbys vendi. E di që të vjen keq se je lodhur duke mbrojtur ca njerëz pa parime, por ja që i tillë je ti.

Pse qesh?

Pse gëzohesh?

Kuptoj. Je i lumtur që ke mbyllur sytë para se të ndodhnin këto zagarllëqe. Ke të drejtë, nuk do i duroje dot. Do kuptoje se Saliut i ke rënë më qafë kot. Por ja që jeta kështu është. Ata që i pandehim engjëj na dalin djaj me brirë.

Do akoma të reja nga mbitoka? Ok, të kuptoj. Mos u mërzit. Nuk të shkruaj më se mund të ndodhë dhe qeveri e ardhshme Rama-Basha. Nuk e thashë kot, ka sinjale. Ok, ok, po e mbyll këtu. Të uroj mos të të mbërrijë asnjë lajm nga ne.

Se Shqipëria nuk kuptohet asnjëherë.

Kot e ke dashur aq shumë.

Adio, miku im i drejtë. Adio!