Agjërimi dje dhe sot

Agjërimi i Ramazanit për ne shqiptarët ka përjetuar dy tablo të kundërta; një e errët dhe tjetra e gëzuar. Për ta përshkruar atë së pari le të japim një përkufizim të shkurtër. Agjërimi në fenë islame, si një institut, është bërë një disiplinë shpirtërore, morale dhe fizike në bazë të urdhrit të Allahut të Lartësuar, ku shprehet: “O besimtarë! Agjërimi u bë i detyrueshëm për ju, ashtu sikundër ishte bërë i detyrueshëm për ata para jush, kështu që mund të ruheni nga e keqja” (Bekare, 188). Me këtë detyrë Zoti ka për qëllim ta mbrojë njeriun nga çdo e keqe, që t’ia arrijë gradës më të lartë të zhvillimit shpirtëror. Kjo për faktin se veç detyrës si agjërim, ai edukon tek agjëruesi të përdorë drejt organet e shqisave dhe të frenojë gjymtyrët e trupit nga vepra të papëlqyeshme dhe të zbusë zemrën e ta bëjë atë si udhëheqëse të tyre. Me një fjalë, agjëruesi merr në kontroll vetveten dhe ia dorëzon plotësisht vullnetit të Zotit të Lartësuar. Kjo arrihet nëpërmjet një vetëpërmbajtje të vullnetshme nga të ngrënët e të pirët nga agimi i hershëm i mëngjesit e deri në perëndim të diellit sipas kalendarit islam. Jo vetëm kaq, por me të përballon çdo pasion negativ që mund t’i serviret agjëruesit gjatë ditës. Ebu Hurejra tregon se Profeti a.s. ka thënë: “Zoti thotë: ‘Të gjithë veprat janë për të (njeriun), përveç agjërimit; agjërimi bëhet për Mua dhe Unë shpërblej për të.’” (Buhari, 9, fraksion 143, n,h,7492).

Tabloja e parë është ajo e errësirës komuniste, që përfshin vitet 1945-1990. Retë e errëta të saj filluan që me ardhjen në pushtet të Partisë Komuniste. Që aty filloi të ndihet seleksionimi e persekutimi i disa kuadrove fetarë, që nuk morën pjesë apo nuk u pajtuan me idetë komuniste. Më 1 maj të vitit 1945 filloi punën Komuniteti Mysliman i krijuar me ndërhyrjen e shtetit. U bënë arrestimet e para në Tiranë me pedagogët e Medresesë, si: H. Ibrahim Dalliu, Hafiz Ismet Dibra, Hasan Tasini, Junus Bulej, etj. Kjo u duk fare qartë edhe me qarkoren numër 501, datë 11.11.1950, ku thuhej: “Njoftohen rrethet se, me qenë se dekretet e funksionarëve fetar, si myfti, nënmyfti, vaiz, imam e myezin të qyteteve dhe ata të fshatrave, të lëshuara në kohën e regjimeve të kaluara nuk janë të pranueshme dhe të pëlqyeshme para zyrave shtetërore të Republikës Popullore të Shqipërisë, porositen që të ftojnë të gjithë funksionarët që janë pajisur me dekrete të vjetra, t’i dorëzojnë ato se do të pajisen me të rinj”. Me këtë filloi kontrolli ndaj kuadrove fetarë dhe gradualisht goditja ndaj riteve fetare, si namazi dhe agjërimi. Goditja ideologjike kundër fesë u shtua me ligjin 1963 “Mbi ndryshimin me ligj të komuniteteve fetare”; ku çdo veprimtari fetare do të bëhej me miratimin e qeverisë ose të organeve lokale.

Në vitin 1964 mbyllet Medreseja e Tiranës, ku ndërpritet fidanishtja e përgatitjes së kuadrove. Letra e hapur e PPSH-së në mars të vitit 1966 shtoi agresivitetin kundër fesë dhe kuadrove të saj. Organizatat e rinisë, të nxitura nga organet e organizatat e partisë në rajon dhe krahinë, në qytet e në fshat, u hodhën në luftë me mbledhje dhe tubime kundër fesë si botëkuptim, duke goditur drejtpërsëdrejti ritet fetare, namaz e agjërim, si dhe ceremonitë fetare. Fjalimi i Enver Hoxhës në vitin 1967 e cilësoi fenë si armike të përparimit dhe zhvillimit të vendit, që nxiti organet e partisë të ndërmerrnin një sulm të egër ndaj institucioneve fetare dhe personaliteteve të saj, derisa më në fund doli vendimi i qeverisë për ndalimin me ligj të ushtrimit të fesë dhe mbylljes e shembjes së institucioneve fetare. Kështu Shqipëria u shpall i pari shtet ateist në botë.

Presioni i pushtetit komunist tani bëhet më i egër, si ndaj kuadrove fetarë, ashtu edhe ndaj besimtarëve.

Filluan t’i bënin thirrje kuadrove fetarë të flisnin kundër fesë dhe t’i inkuadronin me propagandën e tyre. Ata nuk pranuan, por përkundrazi, në fshehtësinë e natës, nëpër dhoma familjare të grupuara, u shfaqën si yje të vegjël, që organizonin faljen e namazit të teravisë për agjëruesit.

Për shembull: Hafiz Mustafa Doraci, ish mësues i Kur’anit në Medresenë e Tiranës, e zhveshën nga uniforma fetare dhe i bënë presion nga organet e sigurimit të shtetit që të dalë publikisht të flasë kundër fesë, por ai nuk pranoi.

I hoqën pensionin, e lanë në mjerim, por ai nuk u përul, sepse shpirti i tij ishte i lidhur me Zotin e Amshuar. Të tillë kemi edhe imamë të tjerë, si Abdi Nela apo Hafiz Nela, me studime të larta në Stamboll, imam në Zall Bastar, hap kurse fshehurazi për fenë islame, por e diktuan, e izoluan në shtëpi, derisa ndërroi jetë. Nuk i lanë t’i bëhej ceremonia e varrimit. Ibrahim Balla, ish drejtor vakfi në Komunitetin Mysliman, përjetoi diskriminimin me fletë rrufe në mes të Tiranës dhe rinia u nxit për ta poshtëruar atë. I nxorën plaçkat jashtë, familjen në rrugë, për ta larguar nga Tirana.

Mehmet Balla, ish medresist, mësues në malësi të Tiranës, udhëheq rite fetare natën në fshehtësi me fshatarët. E spiunojnë, e kërcënojnë dhe e pushojnë nga puna.

Mustafa Kamberi, ish medresist, me detyrë fetare myfti, imam, cilësohet kulak, arrestohet dhe dënohet me 8 vjet burg. Ka agjëruar edhe në burg, nuk i është nënshtruar torturave.

Imer Ferhati, imam në Radomirë, arrestohet dhe burgoset, sepse kryente rite fetare në fshehtësi.

Liman Tafa, ish imam në Selitën e Madhe, arrestohet dhe persekutohet se u informuan që kryente rite fetare në fshat në mënyrë të fshehtë.

Rexhep Mancaku, ish imam në Shupal; Sulejman Kodra në Vilës, etj., janë persekutuar, sepse kanë kryer rite fetare në fshehtësi.

Pamja e dytë filloi me demokracinë në vitin 1991. Erdhi demokracia e shumëpritur, u përmbys pushteti komunist, kjo fitore e shkëlqyer, ky fitim madhështor në çdo detaj të jetës së njeriut me liritë dhe të drejtat e tij, filloi menjëherë me ndërtimin e institucionit drejtues, Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Në krye të këtij institucioni u vendos martiri i demokracisë, hirësia e tij, Hafiz Sabri Koçi, i cili përjetoi 20 vite burg të terrorit komunist. Ai mori masa të menjëhershme për ndërtimin e institucioneve arsimore fetare e të xhamive, të shkatërruara apo të adoptuara për funksione të tjera, si depo e magazina nga sistemi monist. Kuadri fetar, që kishte qenë i paralizuar, u zgjua dhe u angazhua menjëherë për të udhëhequr besimtarët në rrugën e fesë islame, në rrugën e drejtë dhe njerëzore, në rrugën liridashëse brenda caqeve të Ligjit Islam. Kështu dolën në dritë ndjenjat e besimit të fshehur thellë në zemrat e besimtarëve, nga errësira komuniste, nga njollosja shpirtërore dhe nga ligësitë e teorisë së materializmit marksist. Triumfoi besimi dhe përjetohen me gëzim dhe me madhështi namazet, muaji i agjërimit të Ramazanit në të gjithë krahinat e vendit. Pra, gjatë këtyre 26 viteve ka vazhduar me madhështi përjetimi i muajit të Ramazanit dhe sot, me një vrull entuziazmi e me një gëzim të thellë në shpirt, drita e Islamit ka përshkuar zemrat e besimtarëve shqiptarë. Në këtë muaj ata do të grumbullohen e mbushin plot xhamitë në faljen e namazit të teravisë, rreth një qëllimi dhe ideali të shenjtë, rreth lartësimit të Njësimit të Zotit të Vërtetë dhe të bashkimit vëllazëror të të gjithë besimtarëve.

Si sot në këtë muaj të lumtur e të shënuar për historinë islame, ashtu si gjithë bota myslimane, të entuziazmuar nga ndjenja e dashurisë dhe e mallëngjimit, që ushqejnë ndaj adhurimit të Zotit gjatë muajit të Ramazanit, edhe myslimanët shqiptarë e presin me gëzim për të përfituar nga mëshira e Zotit të Lartësuar. Përgatitemi këto ditë, më shpirtërisht se kurrë, dhe me përulje lavdërojmë e falënderojmë të Madhin Zot, që na dha mundësinë të përjetojmë kënaqësinë e këtij muaji të bekuar.

Xhemal Balla

/Revista ‘Drita Islame’, maj 2017/