Zvicra ndryshon statusin e pranimit të azilantëve, ja si mund të përfitoni

“Të mbrojtur” dhe “të mbrojtur përkohësisht”, këto janë dy përcaktimet për statusin e një refugjati që do të ndajë mendjen që të kërkojë mbrojtje nga Zvicra, shteti dhe ligjet e këtij vendit. Dy ditë më parë mësohet se është marrë në shqyrtim nga Dhoma e Parlamentit të Zvicrës pikërisht çështja e ndryshimit të këtij statusi, ndërsa janë përcaktuar edhe pikat në të cilat do të lejohet zgjerimi i hapësirës në lidhje me azil-kërkuesit.

Shqiptarët, të cilët janë dukshëm në kërkim jo vetëm të azilit po edhe të një jetë më të mirë, janë edhe kategoria e madhe që pritet të përfitojë nga ky ndryshim, ndërkohë që sipas të dhënave të dala nga mediat vendase bëhet me dije se personat që do të përfitojnë azil do të kenë kushte të reja pune dhe madje do t`u mundësohet edhe bashkimi familjar.

Por sipas të dhënave janë dy kategori në të cilat do të përfshihen azilkërkuesit; në persona që kanë nevojë të gjatë azili dhe të persona që e kanë domosdoshmëri vetëm për pak kohë. Megjithatë ende nuk është arritur një akord ligjor për këtë fakt pasi pritet të votohet në Senat.

Ndryshimi i statusit

Dhoma Nacionale e Parlamentit të Zvicrës është marrë e para nga dy dhomat me çështjen e ndryshimit të statusit të pranimit të përkohshëm të azilkërkuesve (viza F), ndarjes së këtyre azilkërkuesve në dy kategori. Ajo, në sesionin e dy ditëve më parë, me shumicë votash (113 kundrejt 63) ka miratuar një mocion përmes të cilit i kërkohet qeverisë që të bëjë ndryshimin përkatës të statusit të përmendur shkruajnë mediat vendase.

Me këtë ndryshim duhet të realizohet një mbrojtje më e mirë dhe më efikase e refugjatëve me qëndrim të përkohshëm, transmeton “albinfo. ch”. Statusi i ri pritet të përmirësojë edhe pozitën në tregun e punës të kësaj kategorie të refugjatëve. Pas votimit në Dhomën Nacionale, çështja i kalon Dhomës së Kantoneve (Senatit). Siç ka shkruar ditën e djeshme “albinfo. ch” mësohet se Këshilli Federal kishte pranuar një mocion të Komisionit për Politika Shtetërore (SPK) në kuadër të Dhomës Nacionale të Parlamentit.

Ky mocion kërkonte që statusi i sotëm i përkohshëm i azilkërkuesve (Viza F) të diferencohet, gjegjësisht të parashihen kushte të ndryshme për statusin e qëndrimit në Zvicër të personave të kësaj kategorie. Tek një pjesë e azilkërkuesve që bëjnë pjesë në këtë grupim që në fillim shihet se do të mbeten të qëndrojnë një kohë të gjatë në Zvicër. Këta azilkërkues, sipas propozimit të SPK do të pranoheshin me statusin e ri që do të quhej “të mbrojtur”. Nga ana tjetër, ata të cilët kanë vetëm nevojë të përkohshme për mbrojtje, do të identifikohen me statusin “me nevojë të përkohshme për mbrojtje”!

Kjo varet nga situata në vendet prej nga vijnë këta persona. Në rast se të dy dhomat e Parlamentit do ta votojnë këtë propozim, Këshilli Federal, do ta përpunojë një propozim ligji për këtë problematikë. Statusi i kategorisë së parë (të mbrojtur), sipas komisionit të përmendur do të ketë këto cilësi, nuk do të jetë i kufizuar në kohë, por do të mundësojë bashkimin familjar të personit që ka këtë status, me kusht që ai të jetë i pavarur financiarisht! Është e domosdoshme lidhja e marrëveshjes për integrim; integrimi në tregun e punës etj, thuhet në këtë material që është publikuar në mediat vendase!