Duma rus vendos të shembë blloqet e apartamenteve të periudhës sovietike

Duma shtetërore ruse ka miratur projektligjin e debatueshëm për shkatërrimin e mijëra ndërtesave të periudhës sovjetike në Moskë.

Ligjëvënësit e Dhomës së Ulët e kanë miratur projektligjin ndërkohë që policia arrestonte shumë qytetarë që po protestonin jashtë Dumës.

Kreu i partisë opozitare Yabloko, Sergei Mitrokhin, ka qenë në mesin e të arrestuarve në serinë e fundit të protestave që janë mbajtur kundër këtij plani.

Pavarësisht kundërshtimit të shumë banorevë të Moskës që theksojnë se po cenon të drejtat pronësore dhe liritë individuale, projektligji pritet të kalojë edhe në Dhomën e Lartë të parlamentit dhe të nënshkruhet nga Putin.

Projekligji parashikon shembjen e 4500 ndërtesave të ndërtuara në periudhën e viteve 1950-1960 nga lideri sovjetik Nikita Hrushov dhe zëvendësimin e tyre me ndërtime të larta.

Autoritetet në Moskë kanë deklaruar se objektet janë të rrënuara, por shumë banorë dhe aktivistë i shohin planet si një justifikim, pasi sipas tyre ndërtimet e larta bëhen për arsye fitimi.