BE për Reformën në Drejtësi: Zbatojeni siç keni rënë dakord, varet anëtarësimi në BE

Delegacioni i BE-së në Tiranë i ka bërë thirrje autoriteteve shqiptare që ti përmbahen plotësisht angazhimit për zbatimin e Reformës në Drejtësi, siç parashikohet në legjislacionin që është rishikuar tashmë nga Komisioni i Venecias dhe Gjykata Kushtetuese.

Ky reagim i delegacionit të BE-së, vjen pak ditë pasi unioni i Gjyqtarëve bëri padi në Gjykatën Kushtetuese për rrëzimin e disa pikave të Vettingut.

Ja deklarata e plotë e delegacionit të BE-së:

Ambasadat e Shteteve Anëtare të BE-së dhe Delegacioni i BE-së në Tiranë u bëjnë thirrje gjithë autoriteteve përkatëse që t’i përmbahen plotësisht angazhimit të tyre për zbatimin e reformës së drejtësisë që u votua njëzëri në parlamentin shqiptar rreth një vit më parë. Rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve, siç parashikohet në legjislacionin që është rishikuar tanimë nga Komisioni i Venecias dhe Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, duhet të fillojë. BE-ja kujton se progresi i besueshëm dhe i prekshëm i pesë përparësive kyçe, zbatimi i reformës së drejtësisë dhe në veçanti i ligjit të rivlerësimit janë thelbësore për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.