As gjysma e komisionerëve s'janë emëruar, KQZ i bën apel partive: Nxitoni

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po has në vështirësi me komisionerët, pasi vetëm 12 ditë para zgjedhjeve, nuk është emëruar as gjysma e tyre ndaj i ka bërë thirrje publike, PS-së, PD-së, PR-së dhe LSI-së të  japin propozimet pa u vonuar më.

Zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj, tha për mediat "se ashtu si në zgjedhjet e kaluara, partitë politike po tregojnë të njëjten sjellje problematike në respketimin e afateve ligjore për depozitimin e propozimeve për komisionerë të Qendrave të Votimit.  Afati përfundimtar brenda të cilit duhej të ishin emëruar të gjithë Komisionerët e Qendrave të Votimit ka qenë data 5 qershor. Sot, jemi 12 ditë para datës së zgjedhjeve dhe janë emëruar më pak se 50% e komisionerëve të QV. 

Pavarësisht se janë ezauruar të gjithë rrugët e komunikimit (shkresor dhe verbal), vijon të mos ketë reagim nga Partia Socialiste e Shqipërisë, Partia Demokratike, Partia Republikane dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, të cilat janë dhe subjektet që kanë të drejtën për të propozuar komisionerë në QV. 

KQZ i kërkon partive politike; Partisë Socialiste, Partisë Demokratike, Partisë Republikane, Lëvizjes Socialiste për Integrim që të dorëzojnë menjëherë pranë KZAZ-ve, propozimet për komisionerë të Qendrave të Votimit. 

Afati për emërimin e tyre është tejkaluar dhe kjo sjell pamundësinë e trajnimit në kohë të komisionerëve. Trajnimi i komisionerëve është një detyrim ligjor i ngarkuar nga Kodi Zgjedhor, në funksion të mirëadministrimit të zgjedhjeve, pasi vetëm komisionerë të trajnuar dhe njohës të mirë të ligjit mund të ruajnë standardet zgjedhore."