Hahn për Kosovën: Shpresoj të mos duhen 9 muaj për krijimin e qeverisë

Shefi i Bashkimit Evropian për Zgjerim, Johannes Hahn, ka thënë se shpreson që partive politike në Kosovë nuk do t’iu duhen nëntë muaj për të formuar qeverinë e re siç ndodhi në vitin 2014.

Ai ka thënë se rezultati i zgjedhjeve të 11 qershorit nuk ofron shumicë të qartë për të formuar Qeverinë e re, transmeton Express.

“Rezultati është i tillë që nuk ofron një shumicë të qartë për të formuar Qeverinë dhe shpresoj se nuk do të duhen nëntë muaj për të formuar qeverinë siç ndodhi herën e fundit, në 2014,” ka thënë Hahn për Reuters.

Me numërimin pothuajse të plotë të votave, koalicioni PAN kryeson me 33.98%, Vetëvendosja e dyta me 27.12% dhe në vendin e tretë, koalicioni mes Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e Re dhe Alternativa me 25.74%.