Meta: Rama dhe Basha u bënë të dy bashkë kundër zgjedhjeve, kundër demokracisë

Kryetari i Parlamentit dhe ish-kreu i LSI Ilir Meta thotë se Edi Rama dhe Lulzim Basha kanë bërë marrëveshje kundër demokracisë dhe zgjedhjeve.

I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, Meta u shpreh se Rama dhe Basha janë përgjegjës për krizën që kaloi vendi për 3 muaj.

Ylli Rakipi: Pavarësisht përgjigjes suaj që këta janë dy njerëz të cilët nuk është se bëjnë marrëveshje, mendojnë gjatë gjërat dhe i kanë menduar për një kohë të gjatë gjërat, jam dakord, se në politikën shqiptare ndodhin rëndom këto gjëra, pse kjo gjë ndodhi pikërisht pasi ju përcollën juve në Presidencë?

Ilir Meta: Së pari, mua nuk më ka përcjellë njeri në Presidencë, sepse çdo zgjidhje imja për të ardhmen dhe çdo veprim imi ka qenë për një zgjidhje në interes të vendit, çdo performancë imja do të jetë në interes të vendit.

Së dyti, ata e çuan krizën në ekstreme të tilla ku secili prej tyre do të digjej nga kriza dhe nga moszgjidhja. Atëherë zgjodhën të bëheshin bashkë kundër zgjedhjeve, kundër LSI-së, kundër të gjitha partive të tjera, kundër aleatëve që i qëndruan PD-së në serrën që ngriti z. Basha për të rritur autoritetin e tij me kauzat e opozitës, por njëkohësisht edhe z. Rama kundër aleatëve të tij, të cilët, tani e zbuloi, që paskan qenë problemi kryesor i qeverisjes 4-vjeçare.